Ambasada e Britanisë së Madhe mbështet aksionin kundër kontrabandimit të mallrave

Ambasada e Britanisë së Madhe mbështet aksionin kundër kontrabandimit të mallrave

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka mbështetur aksionin e së mërkurës kundër kontrabandimit të mallrave dhe krimit të organizuar, përcjell Insajderi.com.

Përmes një reagimi, Ambasada tha se ky veprim kundër kontrabandimit me mallra është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Tutje, Ambasada thotë se e mbështesin Qeverinë e Kosovës në respektimin e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën.

Po ashtu, Ambasada u shpreh se janë të shqetësuar për raportet e frikësimit të gazetarëve që përpiqen të bëjnë punën e tyre dhe të raportojnë faktet në terren.

“Ne jemi gjithashtu të shqetësuar për raportet e frikësimit të gazetarëve që përpiqen të bëjnë punën e tyre dhe të raportojnë faktet në terren. Gazetarët kanë të drejtë të veprojnë në një mjedis të sigurt dhe ata që e kërcënojnë këtë duhet të mbajnë përgjegjësi”, thuhet në reagim.

Ndryshe, paraditen e së mërkurës, Policia e Kosovës së bashku me Doganën e Kosovës, kanë zhvilluar një operacion kundër kontrabandimit të mallrave në disa rajone të vendit.

Operacioni është zhvilluar edhe në Mitrovicën e Veriut, ku serbët lokalë penguan zyrtarët policorë në kryerjen e këtij operacioni duke i sulmuar ata me armë zjarri, granata dore, shok bomba etj.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në një konferencë për media të mërkurën, tha se të lënduar nga ky aksion mbetën 10 zyrtarë policorë, teksa shtoi se ka dyshime që ky aksion u dekonspirua – gjë për të cilën kanë nisur hetimet./Insajderi.com