Ambasada e Italisë në Prishtinë vendosë flamurin në gjysmështizë

Ambasada e Italisë në Prishtinë vendosë flamurin në gjysmështizë

Flamuri i Ambasadës së Italisë në Prishtinë është ulur në gjysmështizë.

Kjo ambasadë po vazhdon të mbajë ditë zie në nderim të ambasadorit italian në Republikën Demokratike të Kongos dhe një polici ushtarak që udhëtonte me të dhe një personi të tretë, të cilët u vranë në një sulm ndaj një autokolone të Kombeve të Bashkuara pranë qytetit lindor Goma të Kongos.

Këtë e bënë të ditur për Gazetën Online Insajderi nga Ambasada e Italisë në Kosovë, të cilët thonë se kjo është arsyeja e vendosjes së flamurit të Italisë në gjysmështizë.

“Besoj se keni dëgjuar për vrasjen e Ambasadorit italian, truprojës dhe shoferit të tij në Kongo. Kjo është arsyeja për vendosjen e flamurit në gjysëm shtizë”, thuhet në përgjigjen me shkrim për redaksinë nga kjo ambasadë.

Siç u raportua ditë më parë, Luca Attanasio humbi jetën teksa disa forca të armatosura po përpiqeshin të rrëmbenin personelin paqeruajtës të Monusco, të Kombeve të Bashkuara.

Komandoja terroriste hapi zjarr mbi autokolonën e Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara.

Ambasadori italian vdiq derisa po transportohej në spital si pasojë e plagëve të marra.

Për vrasjen është hapur një hetim për të kuptuar dinamikën dhe motivin.

Një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara i tha Zërit të Amerikës se dy viktimat e tjera ishin një shtetas italian dhe një shofer kongolez i programit.

Zëdhënësi tha se sulmi kishte si objektiv dy automjete të programit të OKB-së që po udhëtonin rreth 25 kilometra në veri-lindje të qytetit Goma.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Pas këtij sulmi, ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio, lëshoi një deklaratë ku shpreh “trishtimin e tij të madh” për vdekjen e bashkatdhetarëve të tij.

“Rrethanat e këtij sulmi brutal nuk dihen ende dhe po bëhen të gjitha përpjekjet për të hedhur dritë mbi atë që ndodhi, “tha Di Maio. /Insajderi.com