Ambasada e Kosovës në Gjermani del me një njoftim

Ambasada e Kosovës në Gjermani del me një njoftim

Ambasada e Kosovës në Gjermani ka bërë të ditur se nga tetë marsi do të lejohet hapja e dyqaneve në zonat që kanë kuotë më të ulët të infeksioneve, njofton Insajderi.

Siç bëhet e ditur në njoftim, shteti gjerman ka vendosur që duke filluar nga 8 marsi qytetarëve do t’u ofrohet falas një test i shpejtë për COVID-19.

“Nga 8 marsi do të lejohet hapja e dyqaneve në zonat që kanë një kuotë të ulët infeksionesh, nën 50 për 100.000 banorë në intervalin kohor prej shtatë ditësh. Në rast se incidenca është mbi 50 do të aplikohet sistemi i blerjeve “klick and meet”, klienti mund të rezervojë një orar të caktuar me dyqanin përkatës për blerjen.

Me një incidencë me më shumë se 100 infeksione përgjatë tri ditëve në zonën e prekur do të mbyllen sërish dyqanet dhe aktivitetet e tjera. Sa i përket sektorit të gastronomisë, kancelarja Merkel në konferencën e shtypit tha, se në rast se incidenca nën 50 është e qëndrueshme në harkun kohor të 14 ditëve, atëherë mund të hapen lokalet që ofrojnë shërbime në mjedise të hapura”, thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim bëhet e ditur se nëse shifrat e infeksioneve do të jenë në rënie është vendosur edhe hapja graduale e aktiviteteve të tjera.

“Me incidencë nën 100 raste të reja për 100.000 banorë me respektimin rigoroz të rregullave të higjienës mund të hapen edhe muzetë, kopshtet zoologjike e botanike si dhe vendet përkujtimore. Ndërsa me incidencën nën 50 aksesi do të jetë më i lehtë në të gjitha aktivitetet e kohës së lirë”, thuhet ndër të tjera në njoftim./Insajderi.com