Ambasada e SHBA-së demanton Spitalit Amerikan që ia përdori emrin për marketing të stafit mjekësor

Ambasada e SHBA-së demanton Spitalit Amerikan që ia përdori emrin për marketing të stafit mjekësor

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka përgënjeshtruar drejtorin e Spitalit Amerikan në Prishtinë,  Igli Larashi i cili keqpërdori emrin e kësaj Ambasade, për t`ju bërë marketing mjekëve të këtij spitali, të cilët akuzohen nga familjarët e pacientëve për papërgjegjësi dhe neglizhencë.

Në një audio-incizim që kishte publikuar Gazeta Sinjali, shefi i Spitalit Amerikan në Kosovë, dëgjohet duke ju thënë familjarëve të një pacienti se neurologu Blerim Myftiu, ndaj të cilit po ankoheshin për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, është mjek i Ambasadës Amerikane në Kosovë.

E kontaktuar nga Gazeta Sinjali, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë e ka demantuar një gjë të tillë.

“Në Spitalin Amerikan nuk ka të punësuar nga personeli i Ambasadës dhe Ambasada nuk referon ekskluzivisht te ndonjë mjek apo spital i caktuar në Kosovë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ambasadës Amerikane për Gazetën Sinjali ku njoftohet poashtu për investimet materiale që ishin bërë në periudhën 2008-2014 për ngritjen e spitalit.

“Ambasada mund të konfirmojë se fondet e Qeverisë së SHBA-ve nga Korporate për Investime Private Tejoqeanike (OPIC) kanë përkrahur zhvillimin e Spitalit Amerikan. Sipas faqes së OPIC-ut në internet, Spitali Amerikan u rrit për t’u bërë një ofrues udhëheqës rajonal i shërbimeve shëndetësore, kjo me ndihmën e Fondit të Kapitalit për Evropën Juglindore (SEEF II), një fond që është i përkrahur nga OPIC dhe i menaxhuar nga Bedminster Capital Management LLC i cili ka investuar mbi 37.6 milionë dollarë të SHBA-ve në periudhën e viteve 2008-2014.”, përfundon përgjigja e ambasadës së SHBA-së, përmbajtja e së cilës demanton pohimet e menaxherit të Spitalit Amerikan, Igli Larashi.

Në audio-incizimin që posedon Gazeta Sinjali, Larashi dëgjohet duke ndërlidhur personelin mjekësor të Spitalit Amerikan me Ambasadën SHBA-së në Prishtinë, gjatë një bisede me familjarët e pacientit nga Peja S.N. të cilët ankohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor ndaj prindit të tyre, i cili pësoi infarkt sapo u lirua nga- spitali, siç thonë, pas insistimit të mjekut përgjegjës, Blerim Myftiu.

Teksa dëgjon nga familjarët pretendimet ndaj mjekëve të Spitalit Amerikan sesi ia rrezikuan jetën babait të tyre dhe paralajmërimin se çështjen do ta dërgojnë në Prokurori, drejtuesi Spitalit Amerikan u thotë atyre se mjeku ndaj të cilit po ankohen është i Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

“Vetëm ta them një gjë, ky njeri është mjeku i Ambasadës Amerikane për sëmundjet neuorologjike. Ky njeri që ne po flasim, Blerimi (Myftiu)”,thekson shtetasi nga Shqipëria, i cili udhëheq Spitalin Amerikan, prej muajit maj të vitit 2018.

Incizimi është bërë nga familjarët me qëllim të dërgimit në organet e drejtësisë, pasi kishin vërejtur trajtimin e pandërgjegjshëm mjekësor ndaj prindit të tyre nga stafi mjekësor i Spitalit Amerikan.