Ambasada e SHBA-së në Beograd: Njohja reciproke Serbi-Kosovë, qëllim i Amerikës

Ambasada e SHBA-së në Beograd: Njohja reciproke Serbi-Kosovë, qëllim i Amerikës

Qëllimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është që të arrihet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Kështu ka thënë zëdhënësi i ambasadës amerikane në Beograd, James Hagengruber për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”.

“Normalizimi i raporteve me Kosovës, me njohjen reciproke si kusht, prej kohësh është i njohur si çelësi për arritjen e këtij qëllimi”, ka thënë Hagengruber.

“Edhe ish-presidenti Trump e ka bërë këtë politikë shumë të qartë. Për shembull, në vitin 2019, ai i shkroi presidentit Aleksandar Vuçiq për ‘mbështetjen e palëkundur’ të Shteteve të Bashkuara në thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe veçanërisht angazhimin e tij për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, theksohet në deklaratën e Hagengruberit, duke iu referuar letrës që presidenti amerikan Biden ia dërgoi Vuçiqit me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, e ku potencohet njohja reciproke mes Serbisë dhe Kosovës.

Hagengruber shton se u takon “të dy palëve të arrijnë marrëveshjen që do të mund ta mbështesin të dyja” dhe beson se njohja e ndërsjellë duhet të jetë një element qendror në normalizimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve.

“Një marrëveshje e tillë historike, me njohjen reciproke në thelbin e saj, do të ndërtonte rrugën drejt qëllimeve të integrimit evropian dhe rritjes ekonomike të Serbisë”, shprehet zëdhënësi i Ambasadës Amerikane në Serbi.

Hagengruber shton se SHBA-ja nuk dëshiron asgjë tjetër përpos që Serbia të ketë sukses në aspiratat e saj drejt BE-së dhe se kthimi në dialog midis Kosovës dhe Serbisë, me ndihmën e BE-së, është thelbësore për atë sukses.

Ai kujton fjalët e Bidenit se “një zgjidhje gjithëpërfshirëse, e cila do të çojë në njohjen reciproke, ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të të dy vendeve dhe forcimin e institucioneve të tyre demokratike, është thelbësore për përparimin e Kosovës dhe Serbisë”.

Zëdhënësi i ambasadës shtoi se kjo do të përmirësonte sigurinë dhe prosperitetin e të dy vendeve, do të përfitonin aspiratat e tyre për anëtarësim në BE dhe institucione të tjera shumëpalëshe dhe do të mbështeste qëllimin e qëndrueshëm të një Evrope të tërë që jeton në paqe dhe liri./Insajderi.com