Ambasada Franceze uron Blerta Bashollin: Hyri në historinë e kinemasë kosovare

Ambasada Franceze uron Blerta Bashollin: Hyri në historinë e kinemasë kosovare

Filmi artistik i regjisores Blerta Basholli, “Zgjoi”, sot bëri historinë e kinemasë kosovare, pasi u vlerësua me tre çmime kryesore në Festivalin e Filmit ‘Sundance’ në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ambasada e Francës në Kosovë ka publikuar një status në rrjetin social Facebook, ku ka uruar regjisoren Basholli për këtë sukses të arritur.

“Urime regjisores kosovare Blerta Basholli! Me filmin e saj të metrazhit të gjatë ‘Zgjoi’, ajo hyri në historinë e kinemasë kosovare . Në të vërtetë, nuk është vetëm një vlerësim fitues i çmimeve, por tre çmimet kryesore të Festivalit të Filmit Sundance që Blerta Basholli ka arritur, përkatësisht: ‘Filmi më i mirë’, ‘Regjia më e mirë’ dhe së fundmi ‘Çmimi i Publikut’”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

“Ju rikujtojmë se Festivali i Filmit Sundance është festivali më i madh i filmit të pavarur në Shtetet e Bashkuara!”.

“Puna e saj është frymëzuar nga një realitet: Jeta e një gruaje që jeton në Krushën e Madhe, në kërkim të burrit të saj që u zhduk gjatë luftës në Kosovë. Ajo krijon një biznes bujqësor dhe, në fakt, siguron mbijetesën e familjes së saj. Megjithatë, asgjë nuk është e lehtë në një mjedis tradicionalisht patriarkal, ku ambicia e një gruaje nuk shihet gjithmonë me sy të mirë. Një temë për vëmendje e cila do të mund t’i përkiste shumë shoqërive…”, thuhet në postimin e Ambasadës Franceze në Kosovë. /Insajderi.com