Ambasada gjermane: Kosova ka sfida më urgjente se zgjedhjet

Ambasada gjermane: Kosova ka sfida më urgjente se zgjedhjet

Marten Menger, zëdhënës i Ambasadës Gjermane në Prishtinë, ka deklaruar se nëpërmjet zgjedhjeve të reja Kosova do të humbte kohë dhe para, pa qenë e parashikueshme që, siç thotë ai, zgjedhjet e parakohshme do të ndryshonin diçka thelbësore në vend.

“Në vend të kësaj ne apelojmë tek të gjitha forcat politike në Kosovë për t’u kthyer tek zhvillimi i një dialogu konstruktiv mbi çështjet objektive. Vetëm nëpërmjet punës konstruktive politike mund të përmbyllen me sukses qëllimet e rëndësishme politike, siç është Demarkacioni i Kufirit, apo themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, ka theksuar Menger.

Edhe zyrtarët e Ambasadës Amerikane kanë deklaruar se liderët kosovarë duhet fokusuar në përmbushjen e objektivave kryesore, siç është përmirësimi i sundimit të rendit dhe të ligjit, lehtësimin e investimeve vendore dhe të huaja, ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit, kalimin e Ligjit për Liritë Fetare dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nëpërmjet dialogut, njofton Zeri.

“Këto çështje duhet të adresohen nga ky Kuvend dhe nga kjo Qeveri pa kurrfarë vonesash”, ka deklaruar  zëdhënësja e Ambasadës Amerikane në Kosovë, Michelle Schohn.

Ndërkaq zyrtarët e Ambasadës Britanike në Prishtinë nuk kanë preferuar të përgjigjen për këtë çështje, siç kanë thënë për shkak të heshtjes parazgjedhore në Mbretërinë e Bashkuar.