Ambasadat e BE-së punojnë sot për Ditën e Evropës, në Kosovë pushim

Ambasadat e BE-së punojnë sot për Ditën e Evropës, në Kosovë pushim

Kosova vazhdon të mbesë vendi i vetëm i Ballkanit që nuk lëviz pa viza në Bashkimin Evropian, por festa për Ditën e Evropës nuk do të mungojë. “Dita e Evropës” është vetëm një nga njëmbëdhjetë  festat zyrtare vjetore në Kosovë, sipas Ligjit për Festat Zyrtare, të cilat shënohen me ditë pushimi.

Por jo të gjithë kanë zgjedhur që të pushojnë në këtë ditë. Ambasadat e huaja që veprojnë në Kosovë edhe sot kanë vazhduar që të presin palë për aplikime për viza të ndryshme në shtetet e Evropës.

Në ambientet e ambasadës italiane që vepron në Prishtinë, dhjetëra qytetarë të enjten po prisnin në rend për t’u pajisur me dokumentacionin i cili do t’ua mundësojë atyre udhëtimin në njërin nga shtetet e Evropës. Njëjtë punën sot po e vazhdojnë edhe ambasadat e tjera të Bashkimit Evropian që veprojnë në Kosovë.


Qytetarët para ambasadës italiane në Prishtinë

Por, institucionet shtetërore sot kanë zgjedhur që të mbajnë pushim për ta festuar “Ditën e Evropës’, në kohën kur kosovarët po vazhdojnë të jenë më të izoluarit në Ballkan.

Aktualisht, nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është e fundit edhe në procesin e integrimit në BE dhe vendi i vetëm i pa përfshirë në zonën e lëvizjes së lirë, pa viza, brenda shteteve të BE-së.

E përfshirjen e 9 majit në listën e festave zyrtare, po e vlerësojnë si të gabuar dhe të panevojshme, Isuf Zejna nga organizata “Demokraci Plus”. Sipas tij, kjo dëshmon edhe joseriozitetin e institucioneve të Kosovës në bërjen e ligjeve.

“Mendoj se ka qenë një gabim që është përfshirë në kalendarin e festave zyrtare, Dita e Evropës, për shkak se ne nuk jemi vend i Bashkimit Evropian, nuk do të jemi edhe shumë vite të tillë. Edhe ashtu për shkak kompozicionit etnik, kemi shumë festa zyrtare kështu që fakti që e kemi edhe Ditën e Evropës, vetëm sa tregon sesa jo-serioz jemi si shtet në bërjen e ligjeve, dhe konsiderimin se sa ditë pushimi do t’i kenë punëtorët brenda vitit”.

Ligji i Festave Zyrtare në Republikën e Kosovës përshinë njëmbëdhjetë (11) festa zyrtare me dymbëdhjetë (12) ditë pushim (dy ditë të Vitit të Ri, 1 dhe 2 janar). Në mesin e këtyre festave, janë edhe: Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (9 prill); Dita e Punëtoreve (1 maj) dhe Dita e Evropës (9 maj)./GazetaExpress