Mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme janë duke e kundërshtuar ambasada e SHBA-ve dhe ajo e Gjermanisë.
Sipas diplomatëve të këtyre dy shteteve, zgjedhjet nuk do ta çonin Kosovën përpara, por do ta thellonin ngecjen.
Gazeta Zëri raporton se diplomatët e këtyre dy shteteve kërkojnë që mosmarrëveshjet pozitë-opozitë të zgjidhen me dialog konstruktiv
Ambasadorja e Gjermanisë, Angelika Viets, dhe zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, Philip Drewry, kanë thënë për “Zërin” se opozita dhe koalicioni duhet ta gjejnë një zgjidhje konstruktive për tejkalimin e krizës, por pa menduar për zgjedhje.
Madje diplomatja gjermane tha se pakica (opozita) duhet të mësohet të respektojë vendimet e shumicës edhe për faktin se nuk përfaqësojnë më shumë se 12,2 për qind të të gjithë votuesve të mundshëm në Kosovë.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e subjekteve opozitare dhe analistët politikë në Kosovë mendojnë se kriza politike është thelluar aq shumë sa që përveç zgjedhjeve të parakohshme nuk shihet ndonjë mundësi tjetër për ta tejkaluar krizën.
Ambasadorja e Gjermanisë, Angelika Viets, tha se demokracia ka bazën e saj, nënkupton konsensusin themelor, shoqëror dhe politik, ku pakica pranon vendimet e shumicës.