Ambasadorët e Quint-it takojnë Valdete Dakën, bëjnë thirrje të respektohen ligjshmëria në Kosovë

Ambasadorët e Quint-it takojnë Valdete Dakën, bëjnë thirrje të respektohen ligjshmëria në Kosovë

Ambasadorët e Quint-it në Kosovë, kanë zhvilluar një takim me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ku kanë shprehur përkushtimin e tyre të vazhdueshëm “për zgjedhje të lira, të drejta, të sigurta dhe paqësore, më 14 shkurt” si dhe e kanë njoftuar atë me planet tona (Quint-it) për monitorim të zgjedhjeve”, transmeton Insajderi.

Me anë të një njoftimi të lëshuar nga Ambasada Amerikane në emër të Quint-it, thuhet se “KQZ-ja duhet të kujdeset që procesi zgjedhor është transparent dhe i pazënë nga ndërhyrjet politike” dhe shtohet se “është e rëndësishme që vendimet ligjore të respektohen dhe rrugët e apelimit të ndiqen pa ndërhyrje”.

“U bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga sulmet personale nxitëse dhe spekulative”, thuhet në njoftimin për takimin e ambasadorëve të Quint-it me Kryetaren Daka të KQZ-së dhe shtohet: “I ftojmë të gjitha partitë dhe kandidatët që të përfshihen në një garë të ndershme në të gjithë Kosovën, duke respektuar masat anti-COVID-19 gjatë gjithë fushatës”, thuhet tutje në kumtesë.

Ambasadorët e Quint-it kanë shtuar se “populli i Kosovës meriton të dëgjojë propozime të hollësishme të politikave, nga politikanët e tyre, me argumente të bëra në një frymë të një debati informues”.

“Për të siguruar zgjedhje të suksesshme, i takon edhe popullit të Kosovës që të votojë dhe ta bëjë këtë në mënyrë të sigurt, duke ndjekur gjithashtu të gjitha masat anti-COVID-19”.

“Qeveritë tona janë të përkushtuara për të vazhduar mbështetjen tonë në përpjekjet për të ndërtuar një Kosovë të sigurt, të begatshme, demokratike për të gjithë qytetarët, dhe për të punuar ngushtë me çdo qeveri që formohet përmes zgjedhjeve të lira në përputhje me kushtetutën”, përfundon informata.

Opinionet e vendeve të Quint-it shihen me peshë dhe me ndikim në jetën politike dhe shoqërore në Kosovë. /Insajderi.com