Ambasadorët shqiptarë kanë dalur me një komunikatë për media. Ata vlerësojnë se momente si këto, të aktakuzës për Thaçin e Veselin, dy komandantë luftë, duhet ta bashkojnë popullin shqiptarë.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka lëshuar një komunikatë për media rreth aktakuzës së ngritur nga Gjykata Speciale për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovë, Kadri Veseli, njofton Insajderi.
Në komunikatën e përbashkët të ambasadorëve thuhet se “pa paragjykuar drejtësinë ndërkombëtare, këto aktakuza nuk mund të zbehin luftën çlirimtare të Kosovës, e cila është nga faqet më të ndritura të qëndresës shqiptare për liri”.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë “beson thellë se lufta e UÇK-së ishte dhe do të konfirmohet nga drejtësia ndërkombëtare si luftë e drejtë dhe e pastër”.
Kurse “luftëtarët e UÇK-së luftuan për të mbrojtur popullin e Kosovës nga terrori, likuidimi dhe gjenocidi serb”.
Ata vlerësojnë se “në asnjë rast nuk mund të barazohet viktima me kriminelin”.
Ambasadorët thonë se besojnë shumë që populli, por edhe përfaqësuesit institucionalë të Kosovës e “mbarë populli shqiptar kudo që ndodhet, do të jetë më i bashkuar se kurrë për të bashkëpunuar me miqtë tanë europiane dhe amerikane”./Insajderi.com