Ambasadorët s’mund të shkarkohen pa vendimin e Hashim Thaçit

Ambasadorët s’mund të shkarkohen pa vendimin e Hashim Thaçit

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Glauk Konjufca, ka propozuar tërheqjen e 7 ambasadorëve nga misionet diplomatike të Kosovës, shkruan Insajderi.

Në vendimin e Konjufcës shkruan se ai duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme ka kërkuar tërheqjen e këtyre ambasadorëve, siç e ka quajtur ai, politik.

Mirëpo, ministri i Jashtëm Glauk Konjufca, nuk mund t’i shkarkojë ambasadorët nga detyra pa vendimin edhe të presidentit të shtetit, në këtë rast Hashim Thaçit.

Në bazë të kompetencave që ka presidenti që ia jep Kushtetuta e vendit, është vetëm ai që shkarkon dhe emëron ambasadorët e shtetit të Kosovës.

Sipas nenit 88, pikur 25, të Kushtetutës së Kosovës, presidenti ka drejtën për t’i shkarkuar dhe emëruar të gjitha shefat e misioneve diplomatike me propozimin e Qeverisë.

“Emëron dhe shkarkon shefat e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës, me propozimin e Qeverisë”, thuhet në Kushtetutë.

Edhe në ligjin për Shërbimit Diplomatik të Kosovës, neni 23, ku flitet për Tërheqjen e parakohshme nga misioni diplomatik, thuhet se presidenti është ai që merr vendimet përfundimtare.

“Presidenti i Republikës së Kosovës urdhëron tërheqjen e një ambasadori apo shefi të misionit nga misioni diplomatik përpara mbarimit të afatit të caktuar, për arsyet e mëposhtme: 1.1. për nevoja pune në Ministrinë e Punëve të Jashtme; 1.2. në bazë të kërkesës së vetë përfaqësuesit diplomatik; 1.3. për arsye të vlerësimit negativ të punës së përfaqësuesit diplomatik; 1.4. për shkelje të dispozitave të këtij ligji ose të akteve të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi; 1.5. kur një gjë e tillë kërkohet nga shteti pranues”, thuhet në ligj.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Glauk Konjufa, menjëherë pas ardhjen e krye të diplomacisë kosovare ka shkarkuar edhe 14 konsuj të Kosovës, të cilët ishin emëruar në mandatin e kaluar nga ish kryediplomati kosovar Behgjet Pacolli. /Insajderi.com