“Luftëtarët e UÇK-së kanë luftuar për t’i shtrirë liritë për popullin e Kosovës, jo për t’i kufizuar ato”.
Philip Kosnett, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, me anë të një shkrimi të gjatë ka prezantuar qëndrimin e tij kundër Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, njofton Insajderi.
Sipas Kosnett, ky ligj, përveç që bie ndesh me frymën e dokumentit të Kushtetutës së Kosovës, do të minonte edhe lirinë e shprehjes në Kosovë.
“Ligji do t’ia çelte rrugën legjislacionit që do të penalizonte format e tjera të lirisë së shprehjes, duke vënë precedent të rrezikshëm. Penalizimi i kritikës ndaj çfarëdo grupi apo individi është hap i rrezikshëm, edhe nëse nuk është me atë qëllim, drejt autoritarizmit”, ka shkruar Kosnett, në një shkrim për Kohën.
“Ka vende që p.sh. penalizojnë kritikën ndaj një presidenti në detyrë ose ndaj prijësve të tjerë politikë – shprehje që është pjesë e diskursit të përditshëm të gjallë në Kosovë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në demokracitë e tjera”.
Amerikani ka dashur që të mos keqkuptohet me qëndrimin e tij, prandaj ka shkruar se “SHBA nuk është kundër UÇK-së”.
“Por Ligji i propozuar për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës minon lirinë e shprehjes dhe gjithashtu do të mund të minonte përpjekjet për të siguruar drejtësi”.
Kjo është e kundërta e asaj për çfarë kanë luftuar edhe vetë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka pohuar Kosnett.
“Luftëtarët e UÇK-së kanë luftuar për t’i shtrirë liritë për popullin e Kosovës, jo për t’i kufizuar ato”.
Sot, Kuvendi i Kosovës e ka në rend të ditës shqyrtimin e Ligjit të propozuar për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së./Insajderi.com