
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi, Geoffrey Pyatt, në Tryezën e Rrumbullakët Ekonomike që po mbahet në Athinë, njofton Insajderi.
Ky i fundit në Twitter ka njoftuar se me Kurtin kanë diskutuar për avancimin e bashkëpunimit rajonal në energji, ekonomi dhe siguri.
“Takim i shkëlqyeshëm me kryeministrin Albin Kurti në tryezën e rrumbullakët ekonomike në Greqi dhe diskutim për avancimin e qëllimeve tona të përbashkëta për bashkëpunimin rajonal në energji, ekonomi e siguri, duke u mbështetur në momentumin e vizitës së Nikos Dendias në Prishtinë, që e nënvizon rolin udhëheqës e stabilizues të Greqisë në rajon”, ka shkruar Pyatt.
Athina ka zyre ndërlidhëse në Prishtinë, ndërsa zyrtarët grekë vizitojnë Kosovën duke respektuar edhe simbolet e shtetit./Insajderi.com