Mësimi amerikan

Ambasadori amerikan në Kosovë: Demokracia nuk është sport për spektatorë – kërkon angazhim

"Javëve të fundit kemi parë që rrugëtimi i gjatë i Amerikës vazhdon, pasi amerikanët po luftojnë përsëri kundër racizmit dhe padrejtësisë".

Ambasadori amerikan në Kosovë: Demokracia nuk është sport për spektatorë – kërkon angazhim

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip S. Kosnett, në fjalimin e tij në ditën e Pavarësisë së SHBA-ve, ka thënë se demokracia, si në Amerikë si në vende të tjera të botës, “nuk është sport për spektatorë”, njofton Insajderi.

Siç ka thënë Kosnett, “demokracia kërkon angazhim”.

Ambasadori amerikan ka treguar edhe një historik të shkurtër të shtetit amerikan dhe luftë e vazhdueshme e të përhershme të popullit amerikan drejt një shteti më demokratik e më të barabartë për të gjithë.

Ajo luftë, thotë ambasadori, vazhdon edhe sot kundër pabarazisë në shoqëri.

 

Ky është fjalimi i plotë i Kosnett:

Fjalimi i Ambasadorit amerikan Philip S. Kosnett me rastin e Ditës së Pavarësisë, 4 korrik 202

Përshëndetje. Ju faleminderit që na u bashkuat për ta festuar 244 vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në vitin 1776, Shtetet e Bashkuara ishin në një udhëtim drejt pavarësisë. Themeluesit tanë nuk kërkuan vetëm lirinë nga një mbret i huaj. Ata u përpoqën ta ndërtojnë një lloj të ri të shoqërisë – një republikë që njohu se jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë ishin të drejta të qarta njerëzore.

Më shumë se dy shekuj në rrugëtimin e Amerikës për të kuptuar që vizioni është i papërfunduar. Amerikanët kanë përjetuar kohë gëzimi e përparimi, por edhe të dhimbjes e regresit. Në vitet 1860, qindra mijëra amerikanë, të bardhë e të zi, vdiqën në një luftë tragjike civile për t’ua sjellë lirinë miliona amerikanëve të tjerë të skllavëruar.

Një shekull më vonë, aktivistë të të drejtave civile, si Martin Luther King Jr., dhanë jetën e tyre në luftën për ta krijuar një shoqëri në të cilën, sipas fjalëve të King-ut, fëmijët një ditë do të jetonin në një komb ku ata [nuk] do të gjykoheshin nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre.

Dhe lufta për drejtësi të barabartë dhe mundësi të barabarta në Amerikë nuk ka qenë vetëm çështje race. Liderët, si Susan B. Anthony, kampion i shekullit të 19-të për të votuar për të drejtat e gruas, luftuan për propozimin që pohimi i Amerikës që të gjithë burrat janë krijuar të barabartë duhet të vlejë edhe për gratë. Brezat e amerikanëve – disa të famshëm, disa anonimë – kanë luftuar për ta shtrirë konceptin e barazisë për të përfshirë njerëz të të gjitha racave, të të gjitha etnive, feve, gjinive dhe identiteteve seksuale.

Javëve të fundit kemi parë që rrugëtimi i gjatë i Amerikës vazhdon, pasi amerikanët po luftojnë përsëri kundër racizmit dhe padrejtësisë.

Në Amerikë, si në çdo vend, demokracia nuk është sport për spektatorë. Demokracia kërkon angazhim dhe këmbëngulje aktive të qytetarëve. Gjithashtu kërkon ndershmëri dhe këmbëngulje për t’i adresuar dobësitë tona dhe për të mësuar nga dështimet tona. Kjo është një kohë trazirash dhe ankthi në Amerikë – por gjithashtu edhe kohë shprese. Shpresoj që një ndryshim i pakthyeshëm, pozitiv mund të ndodhë me një popullsi të angazhuar. E njëjta gjë mund të thuhet për Kosovën.

Populli i Shteteve të Bashkuara dhe populli i Kosovës ndajnë shumë vlera dhe atribute. Popujt tanë janë të fortë e të zgjuar, kreativë e shpirtmirë, të shkathët e elastikë. Si miq dhe partnerë, i jemi përgjigjur njëri-tjetrit kur kemi pasur nevojë. Qëndruam bashkë për ta bërë Kosovën të pavarur, pas sulmeve të 11 shtatorit, në luftën kundër terrorizmit global.

Dhe tani qëndrojmë së bashku përballë një pandemie globale.

Sfidat e fundit e kanë treguar kreativitetin dhe aftësinë ripërtëritëse të popullit të Kosovës. Ndërsa institucionet dhe bizneset ishin të detyruara të mbylleshin për ta ndaluar përhapjen e virusit, qeveria, bizneset dhe shoqëria civile reaguan njësoj për t’u ndihmuar atyre që kishin nevojë. Shtetet e Bashkuara u përgjigjën me ndihmë financiare e teknike. Ka shumë më tepër për të bërë, edhe nga qytetarët e rëndomtë, për ta sjellë pandeminë nën kontroll. Por kam besim se me këmbëngulje, punë të zellshme dhe bashkëpunim përtej kufijve, do të triumfojmë ndaj virusit, siç kemi triumfuar ndaj armiqve të tjerë.

Në këtë Ditë të Pavarësisë së Amerikës, le të zotohemi përsëri për përpjekjet tona më të mira për të ndërtuar shoqëri – për ta ndërtuar një të ardhme të përbashkët – që pasqyron ëndrrat e themeluesve tanë dhe i përmbush detyrimet tona ndaj brezave të ardhshëm.