Ambasadori amerikan përsëri reagon për emërimin e “Ftyrës” në pozitë të rëndësishme shtetërore

Ambasadori amerikan përsëri reagon për emërimin e “Ftyrës” në pozitë të rëndësishme shtetërore

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka shprehur edhe një herë shqetësimin për emërimin e Naser Shalës, në postin e drejtorit të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Ai përmes një postimi në Tëitter tha se ky emërim minon besimin në proceset e zgjedhjes të bazuar në meritë.

“Ende i shqetësuar për emërimin e Naser Shalës në një pozitë të rëndësishme në qeveri pa u kualifikuar. Kjo minon besimin e qytetarëve në proceset e përzgjedhjes bazuar në meritë dhe aftësinë e AKKVP për të përmbushur mandatin e kërkuar nga Dialogu”, shkroi Kosnett.

Naser Shala i njohur me nofkën “Ftyra” rreth dy muaj më parë është bërë me pozitë të rëndësishme shtetërore.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kishin zgjedhur ish-komandant “Ftyrën” drejtor ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, shkruan Insajderi.

Shala për të njëjtin post kishte kandiduar edhe 10 muaj më parë, por që nuk kishte arritur t’i merr votat e mjaftueshme.

Shala kishte qenë i akuzuar së bashku me Fatmir Limajn nga Prokuroria Speciale për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës në rastin “Kleçka”. Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur të pafajshëm Limajn dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij.

Ndërkaq, Gjykata Supreme e Kosovës përfundimisht më 24.05.2017 kishte vërtetuar pafajësinë e këtyre të akuzuarve.

Por emri i Shalës ishte përfshirë edhe në një rast tjetër. Emri i tij ishte përdorur nga Adem Grabovci për ta frikësuar atë kohë, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin.

Grabovci, i ishte afruar Jakup Krasniqit tek foltorja e Kuvendit dhe i kishte thënë “e thirri, ‘Ftyrën’ vallahin, ta kanë lokën”.

Insajderi kishte publikuar hulumtimin “Dosja e Shefave” ku aty ishte dëshmuar komunikimi mes Grabovcit dhe ‘Ftyrës”, pavarësisht se drejtori i ri për Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, kishte qenë në paraburgim./Insajderi.com