Ambasadori amerikan zotohet për mbështetjen e ShBA-së ndaj Kushtetueses

Ambasadori amerikan zotohet për mbështetjen e ShBA-së ndaj Kushtetueses

Amasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, është zotuar për vazhdimin e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për Gjykatën Kushtetuese dhe për institucionet e tjera në vend, njofton Insajderi.

Ai thotë se zotimi për këtë mbështetje bëhet me qëllim të forcimit të gjyqësisë së pavarur dhe sundimit të së drejtës në Republikën e Kosovës.

Kështu është shprehur ai në një takim me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Gresa Caka – Nimani, derisa e uroi këtë të fundit në detyrën e kryetares së Gjykatës.

Siç bën të ditur ky institucion në njoftimin për media, pasi që e falënderoi për vizitën, kryetarja Caka – Nimani e njoftoi ambasadorin Kosnett me punën e deritanishme të Gjykatës, si dhe me prioritetet e saj gjatë mandatit tre vjeçar në krye të Gjykatës Kushtetuese.

Ajo shprehu mirënjohjen për përkrahjen që Qeveria amerikane i ka ofruar Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet projekteve të ndryshme për konsolidimin e saj institucional që nga themelimi dhe theksoi nevojën që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen. /Insajderi.com