Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka deklaruar se është thelbësore që pas 14 shkurtit, Kosova ta ketë një qeveri stabile që të punojë me përkushtim në zhvillimin e vendit, e më pas që palët të dakordohen edhe për postin e presidentit për të mos pasur nevojë që të shkohet në zgjedhje të reja, njofton Insajderi.
Ambasadori Rohde ka folur edhe për procesin zgjedhor që po zhvillohet në Kosovë, domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të drejta, dëshirën e tij që të mos ketë kriza politike pas epilogut zgjedhor etj.
“Së shpejti ne do të kemi zgjedhjet e treta të mbajtura dhe disa qeveri të formuara brenda tre vjetësh. Shumë e nevojshme është një qeveri stabile e cila, idealisht do të çonte në fund mandatin e saj të plotë legjislativ. Gjëja e fundit që iu nevojitet njerëzve në Kosovë do të ishin edhe një palë zgjedhje më vonë këtë vit, nëse palët nuk merren vesh për çështjen e presidentit të vendit”, tha ai, raporton KP.
Sipas diplomatit gjerman në Prishtinë është koha e fundit që qeveria e re të fillojë seriozisht që “fjalët t’i zëvendësojë me vepra” duke e luftuar korrupsionin dhe krimin në mënyrë thelbësore, për ta përmirësuar imazhin e Kosovës në këtë drejtim.
Në raport me dialogun me Serbinë, qeverisë së re i duhet një mbështetje e fuqishme parlamentare ku nevojitet të investojë kapitalin politik dhe vullnetin politik në këtë dialog të lehtësuar nga BE, “sepse është e pa imagjinuar që BE të pranojë shtete të reja anëtare që nuk e njohin njëri-tjetrin”. /Insajderi.com