Në punë me meritë

Ambasadori i Britanisë në Kosovë: Korrupsioni nuk luftohet veç një ditë

Ambasadori i Britanisë në Kosovë: Korrupsioni nuk luftohet veç një ditë

Kuvendi i Kosovës dhe Ambasada Britanike kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi për të siguruar emërime profesionale të udhëheqësve të institucioneve dhe organeve publike, nëpërmes proceseve të drejta dhe transparente të rekrutimit.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë Nicholas Abbott, ka deklaruar se lufta ndaj korrupsionit nuk është aktivitet njëditor, por diçka që bëhet vazhdimisht dhe për një kohët të gjatë, njofton Insajderi.

Këto komente Abbott i ka bërë pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit për të siguruar emërime profesionale të udhëheqësve të institucioneve dhe organeve publike, nëpërmes proceseve të drejta dhe transparente të rekrutimit, me Parlamentin e Kosovës.

“Këtu më lejoni të ri-përsëris që e ka thënë edhe paraardhësi im, suksesi i këtij projekti do të jetë sukses i Kosovës, por edhe dështimet do të jenë të Kosovës dhe institucioneve të Kosovës. Kemi përvojën e hidhur, kur janë emëruar individ që nuk kanë përmbushur kriteret. Në raste të tilla do të reagojmë, sepse një gjë e tillë është e pandershme. Korrupsioni nuk luftohet vetëm një ditë dhe një javë, por një kohë të gjatë dhe gjithmonë”, deklaroi Abbott.

Edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ky bashkëpunim është si vullnet i dyanshëm në mes të dy vendeve.

“Përmes këtij partneriteti ne synojmë të rritim transparencën në udhëheqjen e bordeve dhe ndërmarrjeve të tjera të pavarura. Pozitat e parapara janë kryesisht nën udhëheqjen e Kuvendit të Kosovës. Në këtë memorandum janë të përfshira fillimisht 10 institucione, ku në disa është për borde e disa për kryeshefa. Puna e kompanisë së përzgjedhur do të ndikohet edhe nga pandemia, por do të sigurohemi që këta ekspertë që do të ndihmojnë të jenë prezentë. Të sigurohemi që profesionistët ta marrin votën e deputetëve të Kosovës”, tha ajo./Insajderi.com