Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, i cili e uroi për fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe zgjedhjen Kryeministër të Republikës, njofton Insajderi.
Ambasadori Orlando konfirmoi përkrahjen e Italisë ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë së tij për të vazhduar dhe avancuar dhe më tutje bashkëpunimin e tanishëm.
Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Orlando për vizitën, dhe për urimet e tij dhe të Qeverisë së Italisë.
“Italia është partner i rëndësishëm për Republikën e Kosovës”, u shpreh kryeministri, dhe në këtë drejtim e siguroi që Qeveria e udhëhequr nga ai është sa e gatshme aq edhe e përkushtuar për bashkëpunim ndërshtetëror në të gjitha fushat me interesa të përbashkëta, teksa iu falënderuar ambasadorit të Italisë për ndihmën e vazhdueshme ndaj Kosovës./Insajderi.com