Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli ka thënë së në autobusin që është aksidentuar në Kroaci kanë qenë 13 fëmijë por asnjëri nga ta nuk është lënduar.
Në një lidhje direkte për RTK-në nga Slavonski-Brod ka dhënë detaje nga vetëaksidenti i autobusit me targa të Kosovës, që ndodhi në mëngjesin e sotëm, e ku kanë humbur jetën nëntë pasagjerë dhe shoferi i autobusit.
“Për momentin ndodhem në spitalin e Slavonski Brodit. Këtu për momentin janë 44 persona që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, 8 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë. Disa prej tyre tashmë e kanë kryer operimin dhe gjendja e tyre është stabile”, ka thënë ambasadori Kasapolli.
Ai ka thënë se i ka vizituar të gjithë të lënduarit të shtrirë në repartet e spitalit në Slavonski-Brod, teksa ka njoftuar se janë duke e bërë identifikimin e viktimave dhe të lënduarve.
“Ne e kemi listën e të gjithë pasagjerëve dhe së bashku me autoritetet kroate jemi duke i identifikuar secilin veç e veç. Por disa janë në terapi dhe ende nuk kemi arritur të bëjmë identifikimin e tyre”, ka shtuar ambasadori Kasapolli, i cili ka bërë me dije se pasagjerët e këtij autobusi ishin bashkatdhetarë tanë nga rajone të ndryshme të Kosovës. Sipas informatave që kemi kanë qenë diku 13 fëmijë në autobus dhe fatmirësisht asnjë prej tyre nuk është në listën e të vdekurve”, ka pohuar ai.
Sa i përket shkaqeve të këtij aksidenti ambasadori Kasapolli ka thënë se për momentin nuk ka ende ndonjë qëndrim zyrtar nga autoritet kroate./Insajderi.com