Ambasadori italian: Specialja ka të bëjë me zotimin e Kosovës jo me UÇK-në e pavarësinë

Ambasadori italian: Specialja ka të bëjë me zotimin e Kosovës jo me UÇK-në e pavarësinë

Ambasadori Italian në Kosovë, Nicola Orlando, tha të premten se çështja e Gjykatës Speciale ka të bëjë me zotimet ndërkombëtare të Kosovës, jo me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës apo pavarësinë e saj.

Ai në Twitter po ashtu vlerësoi lartë përgjegjësinë të cilën e ka treguar ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari, Kadri Veseli, në rastin e pranimit që përballjes me ‘drejtësinë ndërkombëtare’.

“Unë vlerësoj përgjegjësinë e treguar nga institucionet e #Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli dhe thirrjet për qetësi dhe respektim të Ligjit. Kjo ka të bëjë me konstatimin e përgjegjësive individuale bazuar në zotimet ndërkombëtare të Kosovës, jo me UÇK-në dhe pavarësinë”, shkroi Orlando në Twitter.

Më 4 nëntor janë konfirmuar aktakuzat e Dhomave të Specializuara për dyshen Thaçi-Veseli – në të njëjtën ditë një bastisje nëntë orëshe ka ndodhur në shtëpitë e ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqit.

Ndërsa sot janë bastisur shtëpitë e Thaçit, Veselit dhe Rexhep Selimit nga misioni evropian ‘EULEX’, përkundër se të tretë nuk gjenden në Kosovë; ata të premten udhëtuan në Hagë me një aeroplan ushtarak. /Insajderi.com