Ambasadori izraelit në Beograd: Njohja e Kosovës nuk do të ndikojë në raportet me Serbinë

Ambasadori izraelit në Beograd: Njohja e Kosovës nuk do të ndikojë në raportet me Serbinë

Ambasadori i ri i Izraelit në Beograd, Yahel Vilan, ka thënë të mërkurën se Izraeli ende nuk e ka ndërmarrë veprimin zyrtar për njohjen e Kosovës, njofton Insajderi.

Gjithsesi, ai ka thënë se kjo është pjesë e marrëveshjes së fundit të arritur në Uashington mes shteteve dhe beson se kjo nuk do të ndikojë në raportet mes Serbisë dhe Izraelit.

“Sa i përket çështjes së Kosovës, ne kemi një deklaratë nga kryeministri i Izraelit për njohje reciproke mes Izraelit dhe Kosovës. Deri tash s’kemi marrë veprime në terren, por kjo është pjesë e marrëveshjes së nënshkruar në Uashington”, ka thënë Vilan për “Tanjugun” në deklarimin e parë zyrtar si ambasador.

Tutje Vilani u ka thënë mediave serbe se njohja reciproke mes Izraelit dhe Kosovës nuk do të ndikojë në raportet “e fuqishme me Serbinë”, për të cilat ka thënë se Izraeli planifikon t’i forcojë ende.

Pasi ia dorëzoi letrat kredenciale presidentit të Serbisë, Vilan ka thënë se raportet mes këtyre dy shteteve janë përmirësuar dukshëm, teksa e ka konsideruar hap të rëndësishëm zotimin e Serbisë për zhvendosje të ambasadës në Jerusalem./Insajderi.com