Gjykata Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit.
Lirim Greiçevci i cili është ambasador i Kosovës në Holandë ka reaguar në lidhje me aktakuzat që janë ngritur nga Gjykata Speciale për presidentin, Hashim Thaçin dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin.
Greiçevci përmes llogarisë në Twitter ka shprehur dyshimet tek aktakuza e cila mund të jetë bërë në kundërshtim me rregullat e brendshme të Gjykatës Speciale
”Njoftimi nga Prokuroria Speciale për akuzat e paraqitura kundër Presidentit Thaçi dhe Z. Veseli, përpara se ato të ishin konfirmuar nga një gjykatës dhe me shumë gjasë në kundërshtim me Rregullat e Gjykatës, do të vë në dyshim serioz pavarësinë dhe profesionalizmin e tyre”, ka thënë ambasadori.
Poashtu, ai ka kritikuar publikimin e aktakuzës pasi ka mundësi gjyqtari të mos i konfirmojë ato e kjo e dëmton imazhin e Kosovës si shtet i ri.
”Shumica e mediave ndërkombëtare kanë raportuar, gabimisht, se Z. Thaçi dhe Z. Veseli ishin akuzuar zyrtarisht. Ende ekziston një mundësi teorike që gjyqtari mund të mos i konfirmojë akuzat. Në atë rast, dëmi i pakthyeshëm do të jetë shkaktuar në imazhin e Kosovës si një shtet i ri”, deklaroi ai.
Kjo aktakuzë është kundërshtuar shumë jo vetëm nga përmbajtja, por edhe nga përpilimi juridik. /Insajderi.com/