Ambasadori rus në Serbi: Asociacioni çështje thelbësore për të ardhmen e serbëve në Kosovë

Ambasadori rus në Serbi: Asociacioni çështje thelbësore për të ardhmen e serbëve në Kosovë

Ambasadori rus në Beograf, Alexander Botsan-Kharchenko, ka njoftuar se vendi që përfaqëson beson që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë është çështje thelbësore për të ardhmen e serbëve në Kosovë, dhe se ky asociacion duhet të krijohet me kompetenca ekzekutive, transmeton Insajderi.

Botsan-Kharchenko ka thënë se pa një ndryshim të qëndrimit dhe një qasje më fleksibile dhe konstruktive të Prishtinës, nuk do të ketë përparim në dialog ose një zgjidhje përfundimtare për çështjen e Kosovës, raporton agjencia e lajmeve serbe Tanjug.

Kryediplomati rus thekson se, nëse arrihet një marrëveshje për Asociacionin dhe çështje të tjera, të cilat u diskutuan në dy muajt e fundit në nivelin më të lartë dhe teknik, është e nevojshme të zbatohet menjëherë, siç thotë ai, pa pritjen e rezultatit përfundimtar të dialogut.

Nesër pritet që në Bruksel të diskutohet për zgjidhjen e pretendimeve financiare dhe çështjet e pronës midis Kosovës dhe Serbisë, njofton Insajderi.

Me ndërmjetësimin e emisarit Lajçak, në takimin e nesërm, delegacionet do të vazhdojnë diskutimin e filluar në takimin e kaluar rreth kësaj çështjeje. /Insajderi.com