Ambasadori i SHBA-së flet rreth mundësisë që demarkacioni të përfundoi në Arbitrazh

Ambasadori i SHBA-së flet rreth mundësisë që demarkacioni të përfundoi në Arbitrazh

Kryeministri Ramush Haradinaj vazhdon të insistojë se marrëveshja e nënshkruar e demarkacionit me Malin e Zi duhet të korrigjohet, e pas kësaj të ketë rinegociim, edhe pse për autoritetet malaziase kjo çështje është e mbyllur në momentin që është ratifikuar në Kuvendin e tyre.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka thënë se rinegociimi ose jo i marrëveshjes së Demarkacionit varet krejtësisht nga dy shtetet përkatëse.

“Marrëveshja e demarkacionit të kufirit është marrëveshje bilaterale mes Kosovës dhe Malit të Zi. Pyetjet lidhur me ri-negociim dhe arbitrim, duhet drejtuar qeverive përkatëse”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës për Gazetën Express.

Se marrëveshja e Demarkacionit nuk mund të diskutohet më tej u deklarua edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili tha nuk mund të rinegociohet çështja e demarkimit të kufirit, përderisa Mali i Zi e quan çështje të mbyllur.

“Demarkacioni për Malin e Zi është një çështje e mbyllur, është një marrëveshje që është nënshkruar dhe është ratifikuar në parlamentin e Malit të Zi, është përmbyllur dhe praktikisht është punë e kryer për ta”, ka thënë Pacolli dje në mbledhjen e komisionit parlamentar për Punë të Jashtme.

Ish-deputetja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, megjithatë, nuk e ka lënë në duar të dy shteteve çështjen e Demarkacionit.

Ajo sot ka thënë se Bashkimi Evropian nuk njeh marrëveshje të re për demarkacionin, derisa ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë të drejtë të udhëtojnë në vendet e BE-së pa viza.