Ambasadori spanjoll në Beograd: “S’e njohim Kosovën edhe nëse hapim zyrë në Prishtinë

Ambasadori spanjoll në Beograd: “S’e njohim Kosovën edhe nëse hapim zyrë në Prishtinë

Ambasadori i Spanjës në Serbi, Raul Bartolome Molina, thotë se vendi i tij nuk e njeh Kosovën e pavarur dhe se ky qëndrim nuk do të ndryshojë, transmeton Insajderi.

Kështu është shprehur ai për medien serbe ‘Kurir’, duke thënë se qëndrimi nuk do të ndryshojë edhe nëse Madridi zyrtar vendos të hapë zyrë në Prishtinë.

“Është politika zyrtare e shtetit, e cila nuk ndryshon në raport me partinë politike ose partitë që do të ishin në pushtet në një moment të caktuar”, tha ai.

“Është një pozicion që është në përputhje me të gjithë aktorët politikë dhe bazohet në respektimin absolut të ligjit ndërkombëtar nga Spanja”, shtoi Molina.

Sipas tij, se Spanja gjithmonë ka mbështetur respektimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe bëri thirrje për përmbushjen e detyrimeve nga Marrëveshja e Brukselit, e cila, për mendimin e tij, duhet të jetë baza për negociatat aktuale midis Prishtinës dhe Beogradit. /Insajderi.com