Ambicie për LDK-në, jo për vete

Hykmete Bajramit LDK-ja i beson shumë. Sa herë që kjo parti është në pozitë, Bajrami udhëheqë me një dikaster qeveritar. Ministre në tri qeveri të ndryshme, ka numrin tre në listën e fundit zgjedhore, por në këtë intervistë për Gazetën Online Insajderi, ajo pohon se asnjëherë s’e ka menduar vetën duke e udhëhequr partinë, as nuk ka ambicie të tilla. Thotë se është e preokupuar me fitoren e LDK-së karshi partive të tjera, jo me fitoren e saj brendapartiake.

Ambicie për LDK-në, jo për vete

Përkundër se Lidhja Demokratike e Kosovës ia ka besuar ndër vite tri pozita ekzekutive dhe e ka vendosur numër tre në listën zgjedhore për votimet e 14 shkurtit, Hykmete Bajrami nuk ka ambicie për kryetare të partisë.

Ajo ishte e shkurtër në pyetjen e Gazetës Online Insajderi, nëse është potenciale për ta marrë drejtimin e subjektit më të vjetër politik në Kosovë.

“Jo nuk jam”, u përgjigj Bajrami që në listën zgjedhore është menjëherë pas Avdullah Hotit e Kujtim Shalës.

Besimin e LDK-së për ta vendosur në numrin tre, ajo e konsideron si “vlerësim të partisë” ndaj saj – si pjesë e kontributit që ka dhënë brenda LDK-së dhe në Qeveritë pjesë e së cilave ka qenë ky subjekt politik.

Por, s’pranon të pohojë se “është gruaja më e fuqishme”, thotë se “LDK-ja ka shumë gra të fuqishme”.

“Pra, unë vazhdimisht insistoj që energjitë tona t’i orientojmë në arritjen e aspiratave shtetërore duke lënë anash egoizmat apo interesat e ngushta individuale. LDK ka shumë gra të fuqishme”, tha ajo.

Një ish-grua e fuqishme e Lidhjes Demokratike të Kosovës është e dyta në listë, por në një parti tjetër – rivale të LDK-së.

Për rastin e Vjosa Osmanit, Bajrami mendon se “është zgjidhje personale e gjithsecilit”.

“LDK tashmë e ka bërë të qartë qëndrimin e saj rreth kësaj çështjeje. Konsideroj se është zgjedhje individuale e secilit personalitet se në cilin subjekt politik do të kontribuojë”, theksoi Bajrami.

Në fushatën zgjedhore të vitit 2019 Bajrami e Osmani ishin bashkë, por tash garojnë të ndara dhe “beteja për vota” ekziston.

Bajrami beson se qytetarët do ta vlerësojnë LDK-në si forca më progresive në nivel vendi dhe kështu t’ia japin votën.

“Konsideroj se fushata e LDK-së po ecën mjaft mirë dhe se elektorati kosovar do të dijë ta vlerësojë faktin se LDK mbetet forca më progresive në nivel vendi”, tha ajo.

Në këtë fushatë zgjedhore për ta kërkuar votën qytetare, LDK e ka sloganin ‘Shteti. Shtet.”.

Ajo këtë slogan e ndërlidh me kontributin e partisë të themeluar nga Ibrahim Rugova si “ndërtuese e shtetit e respektuese e tij”.

Beson se nën sloganin ‘Shteti. Shtet.” ka se si t’iu dëshmojë qytetarëve punën e saj gjatë vitit 2020, si ministre e Arsimit dhe Shkencës në qeverinë Kurti, por edhe si ministre e Financave gjatë qeverisë Hoti.

Përmendi organizimin e mësimit online si dhe ekzekutimin e mjeteve financiare nga “Pako e Emergjente”. Gjithashtu Rimëkëmbja Ekonomike, e cila tashmë plotëson kushtin e kornizës ligjore për ekzekutim.

Këto dhe të tjera suksese që Bajrami i përmendi në intervistën dhënë Insajderit, nuk ia atribuon vetës, por ekipit të saj.

“Unë kam zgjedhur që të punoj me një ekip të shkëlqyeshme, andaj  të gjitha që punët që i kemi kryer janë kontribut i ekipit tim, janë kontribut i punës së përbashkët me zyrtarët e institucioneve ku kemi punuar”, tha ajo.

Ky formacion qeveritar gjatë vitit 2020 u përballë edhe me çështjen e cila ende nuk është zbardhur – 2.1 milionë eurot e avulluara.

Bajrami kishte lajmëruar rastin në Polici. Hetimet po vazhdojnë. /Insajderi.com

 

Intervista e plotë:

Pyetje: Si po shkon Rimëkëmbja Ekonomike në përgjithësi?

Përgjigje: Siç e dini, pandemia  Covid-19 ka shkaktuar njërën nga krizat më të mëdha ekonomike në vendin tonë këto 20 vitet e fundit. Gjatë kësaj periudhe kohore, ne kemi punuar shumë që t’i amortizojmë në masë të konsiderueshme dëmet ekonomike përmes masave qeveritare ku kemi injektuar në ekonominë e vendit mjete të konsiderueshme financiare.

Me sponzorim të Ministrisë së Financave (MF), Qeveria e Kosovës, më 13 gusht 2020, ka miratuar Programin për Rimëkëmbje Ekonomike (PRE) në vlerë prej 365 milionë euro. Ky program gjithëpërfshirës kishte 15 masa të cilat për qëllim kishin zbutjen e ndikimit negativ të pandemisë dhe fillimin e rimëkëmbjes ekonomike. Ndër të tjera, masat përfshijnë: lehtësimin e qasjes në financa (100 milionë); zvogëlimin e barrierës tatimore; subvencionimin e pagave; stimulimin e kërkesës agregate; dyfishimin e subvencioneve në bujqësi; mbështetje për arsimin dhe shëndetësinë; mbështetjen e bizneseve të grave; mbështetjen e komuniteteve; zhvillimin e balancuar rajonal; mbështetjen e ndërmarrjeve publike; mbështetje për komunat; dhe mbështetje për bashkëatdhetarët. Rreth 280 milionë euro janë shpërndarë në mënyrë direkte, në kategori të ndryshme ekonomike shumat si në vijim: në paga dhe mëditje (shtesat në shëndetësi, polici, etj.); në mallra dhe shërbime; në subvencione dhe transfere – pjesa më e madhe subvencione për sektorin privat për t’u përballur më lehtë me pandeminë (masat për subvencionimin e pagave, subvencionimin e qirasë; subvencionimi i bazuar në numrin e punëtorëve, etj.)

Vlen të theksohet se vetëm nga masa e dhjetorit 2020 prej 60 milionë euro, kanë përfituar mbështetje direkte financiare afër 37 mijë biznese që punësojnë mbi 206 mijë punëtorë. Një pjesë tjetër e subvencioneve është ndarë për kategoritë më në nevojë, sikurse: dyfishimi i asistencës sociale për mbi 25 mijë familje përfituese. Po ashtu, mijëra fermerë në sektorin e bujqësisë kanë përfituar dhe do të përfitojnë nga dyfishimi i subvencioneve.  

Nga ana tjetër, komunat e Kosovës kanë përfituar 10 milionë euro për përballje me pandeminë; sektori i arsimit është mbështetur me 10 milionë (5 milionë për 2020, dhe 5 të tjera për 2021); kultura, sporti dhe artistët janë mbështetur me 5 milionë euro; ndërmarrjet publike janë mbështetur me mbi 12 milionë euro.

Në total, përmes PRE gjatë vitit 2020 kanë përfituar mbi 400 mijë qytetarë (punonjës të sektorit privat, familje në asistence sociale, mjekë, policë, fermerë, gra në biznes, artistë, sportistë, komunitete, etj.).

Poashtu, ne kemi dizajnuar Programin për Rimëkëmbje Ekonomike për vitin 2021 në vlerë prej 222.4 milionë Euro, i cili parasheh mbështetje për shëndetësinë, përfshirë këtu edhe blerjen e vaksinave anticovid; mbështetje për bizneset, bujqësinë, prodhimin dhe eksportin, arsimin, kulturën dhe sportin, bizneset e grave, familjet në asistencë sociale, punëtorët që kanë humbur vendin e punës, pushtetin lokal, ndërmarrjet e rëndësishme publike, etj.    ​

Javën e kaluar kemi aprovuar në Qeveri ndarjen e mjeteve për zbatimin e një sërë masash nga PRE 2021, sikurse:

 5 milionë euro për bizneset aktive dhe të vetë-punësuarit;

  • 1 milion euro mbështetje për projektet/iniciativat që synojnë përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe ekonomi;
  • 5 milionë euro për pagesën e shtesës prej 30 euro për skemat pensionale dhe sociale që marrin pagesa mujore deri në 100 €, për muajt janar-mars 2021;
  • 5 milionë euro për dyfishimin e pagesës për përfituesit e ndihmave sociale, për muajt janar-mars 2021;
  • 6 milionë euro shtesa për muajt janar-mars 2021 për angazhimin e shtuar në terren të zyrtarëve policorë, të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj COVID-19;
  • 8 milionë euro shtesa mujore për personelin shëndetësor të angazhuar në betejën kundër pandemisë, për muajt janar-mars 2021;
  • 1 milion euro për kompensimin e dëmeve në Komunat e Kosovës për objektet e banimit të dëmtuara nga vërshimet e ndodhura në javën e parë të janarit të vitit 2021;

Nga ana tjetër, përmes Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike – Covid -19, është bërë i mundur realizimi i një sërë masash tjera të rëndësishme që kontribuojnë në dinamizimin e ekonomisë, si: stimulimi i kërkesës agregate përmes mundësimit të hyrjes së hershme në fondet e TKPK-së (afër 200 milionë); lehtësimi i qasjes në financa duke rritur mbulimin nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore dhe duke mbuluar rrezikun e kredisë dhe normat e interesit për bizneset dhe fermerët; mbështetje shtesë për sektorin privat për funksionimin e rregullt dhe rritjen e investimeve; zvogëlimin e barrës tatimore për industrinë e shërbimeve duke aplikuar normën e TVSH-së së zvogëluar prej 8% për hotelet dhe gastronominë; largimin e TVSH-së për lëndën e parë të prodhuar në Kosovë (të përdorur në procesin e prodhimit); largimin e TVSh-së për produktet e sigurimeve bujqësore; etj.

Në aspektin e sigurimit të financave publike të qëndrueshme, reformave në menaxhimin e financave publike dhe bashkëpunimit me institucionet financiare ndërkombëtare, kemi shënuar rezultate të rëndësishme. Kemi arritur t’i përmbyllim procedurat për nënshkrim të 9 marrëveshjeve ndërkombëtare në vlerë financimi prej rreth 250 milionë euro, ku 213 milionë euro janë financim për luftën ndaj pandemisë COVID-19. Financimi përfshin rreth 26 milionë euro pajisje mjekësore dhe rreth 30 milionë euro për sektorin shëndetësor.

 

Pyetje: Cilat veprime keni marrë si Ministri e Financave për 2.1 milionë eurot e avulluara?

Përgjigje: Me tu njoftuar për atë se çka ka ndodhur, ne kemi ndërmarrë veprime të menjëhershme duke i njoftuar organet e ndjekjes të cilat po merren intensivisht me zbardhjen e këtij rasti. Poashtu, në kuadër të Thesarit, është bërë një rishikim i detajuar i aspekteve kryesore operacionale, procedurale dhe të sigurisë së sistemit ku është hartuar një plan i veprimit me qëllim të rritjes dhe avancimit të niveleve dhe hallkave të kontrollit dhe sigurisë së transaksioneve, shumë prej të cilave janë zbatuar menjëherë, kurse një pjesë e tyre janë në proces të zbatimit. I kemi ofruar bashkëpunim të plotë prokurorisë së shtetit në mënyrë që ky akt që dëmton rëndë interesin publik të zbardhet me sukses.

 

Pyetje: Cilat janë punët tuaja më të suksesshme të cilat mund t’i paraqitni para elektoratit tuaj?

Përgjigje: Unë kam zgjedhur që të punoj me një ekipë të shkëlqyshme, andaj  të gjitha që punët që i kemi kryer janë kontribut i ekipit tim, janë kontribut i punës së përbashkët me zyrtarët e institucioneve ku kemi punuar. Në MASHT kishim pak kohë por kemi arritur të bëjmë shumë punë të mira. Ne kemi organizuar mësimin online vetëm dymbëdhjetë ditë pasi janë mbyllë shkollat, me ndihmën e mësusëve, DKA-së në Prishtinë dhe një grupi të vullnetarëve; kemi funksionalizuar Agjencinë e Akreditimit; kemi krijuar kushtet për akreditim online; kemi aktivizuar programin e bursave, kemi nënshkruar disa marrëveshje me donatorë; kemi arritur pajtueshmëri me komunën e Kamenicës për kthimin e fëmijëve në shkolla; shfuqizimi i UA për gjuhët i cili ishte në kundërshtim me të drejtat e njeriut;  fillimi i disa projekteve si; qerdhe dhe shkolla nëpër disa komuna të Kosovës etj. Mandej me të njëjtën ekipë kaluam në MF ku sfidat janë jashtëzakonisht të mëdha. Përkundër sfidave të shkaktuara si rezultat i rënies së të hyrave buxhetore për shkak të uljes së aktivitetit ekonomik, ne kemi arritur të ruajmë me sukses stabilitetin makro-fiskal, të financojmë shëndetësinë, arsimin, kulturën, sportin, bizneset dhe qytetarët në nevojë, institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes. Masat e Programit të Rimëkëmbjes, të përmendura më lart, janë zbatuar me efikasitet dhe transparencë duke kontribuar kështu në ndërprerjen e tkurrjes ekonomike dhe evitimin e përkeqësimit të situatës sociale në vend.

Kemi kultivuar partneritet të shëndoshë me institucionet financiare ndërkombëtare dhe me partnerët zhvillimorë. Kemi punuar në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në; kemi qeverisur në mënyrë transparente dhe efikase, gjithnjë duke kultivuar dialogun e hapur dhe profesional me komunitetin e biznesit si dhe me organizatat e shoqërisë civile.

Konsideroj se kjo gamë e veprimeve tona institucionale do të shërbejë si bazament i fortë që viti 2021 të jetë vit i rikthimit pozitiv të ekonomisë, dhe vit i dinamizimit të mëtejmë të reformave që sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe integrim të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Pyetje: Keni numrin 3 në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës – a është kjo tregues se jeni gruaja më e fuqishme në këtë subjekt politik?

Përgjigje: Renditja ime në listën zgjedhore të LDK-së është një vlerësim i treguar nga partia ime për angazhimin tim shumëvjeçar në detyra të rëndësishme qoftë në ekzekutiv, qoftë si anëtare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Unë gjithnjë kam qenë e fokusuar në dhënien e kontributit tim profesional në avancimin e proceseve të qeverisjes së mirë, respektimin e plotë të legjislacionit në fuqi, dhe duke mos shpenzuar kohën time të çmueshme në çështje të interesave individuale. Si të zgjedhur nga populli, ne jemi këtu që të shërbejmë për fuqizimin e institucioneve tona, për përmirësimin e qeverisjes, sepse këto janë premisa që ndihmojnë zhvillimin ekonomisë dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Pra, unë vazhdimisht insistoj që energjitë tona t’i orientojmë në arritjen e aspiratave shtetërore duke lënë anash egoizmat apo interesat e ngushta individuale. LDK ka shumë gra të fuqishme.

Pyetje: Si po shkon fushata e LDK-së dhe cilat janë pritshmëritë tuaja?

Përgjigje: LDK është një parti me traditë të gjatë politike dhe me struktura të konsoliduara gjithandej vendit. Konsideroj se fushata e LDK-së po ecën mjaft mirë dhe se elektorati kosovar do të dijë ta vlerësojë faktin se LDK mbetet forca më progresive në nivel vendi e cila e ka platformën programore dhe njerëzit e duhur për ta avancuar sigurtë agjendën tonë shtetërore drejt konsolidimit të institucioneve dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Pyetje: Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2019 keni qenë shumë aktive – si e komentoni largimin e Vjosa Osmanit?

Përgjigje: LDK tashmë e ka bërë të qartë qëndrimin e saj rreth kësaj çështjeje. Konsideroj se është zgjedhje individuale e secilit personalitet se në cilin subjekt politik do të kontribuojë.

Pyetje: A mund të jeni potenciale për kryetare të partisë?

Përgjigje: Jo nuk jam.

Pyetje: Komentojeni sloganin Shteti. Shtet.

Përgjigje: Ne jemi ndërtues të shtetit, ne respektojmë shtetin, respektojmë secilin institucion të saj, respektojmë vendimet e secilit institucion shtetëror, pavarsisht a na pelqejnë apo jo, sepse shteti është shtet.