Departamenti Amerikan i Shtetit ka përgëzuar zyrtarizmin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në mes Kosovës dhe Izraelit, e cila u arrit të hënën në kuadër të marrëveshjes ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë të nënshkruar në Uashington, transmeton Insajderi.
Ned Price, zëdhënës i Departamentit të Shtetit, përmes një postimi në Twitter, është shprehur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta përkrahin Kosovën përgjatë rrugës drejt integrimit në instancat euro-atlantike.
Sipas tij, nënshkrimi i kësaj marrëveshje ndihmon në promovimin e stabilitetit, paqes dhe prosperitetit për të dyja vendet.
“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë Izraelin dhe Kosovën për zyrtarizmin e marrëdhënieve diplomatike. Dje ishte një ditë historike. Lidhjet më të thella ndërkombëtare ndihmojnë në promovimin e stabilitetit, paqes dhe prosperitetit në të dy vendet.
Kur partnerët tanë janë të bashkuar, Shtetet e Bashkuara janë më të fuqishme. SHBA-të do të qëndrojnë përkrahë Kosovës në rrugëtimin e saj euroatlantik”, ka thënë Price.
Megjithatë vendimi që Kosova të vendos Ambasadën në Jeruzalem nuk i ka pëlqyer fare Bashkimit Evropian. Zëdhënësi Peter Stano një vendim të tillë e ka cilësuar si të “vendim fatkeq”.
Kosova dhe Izraeli zyrtarizuan vendosjen e marrëdhënieve diplomatike të hënën, më 1 shkurt 2021, përmes një ceremonie virtuale./Insajderi.com