Njohësit e çështjeve politike dhe atyre ekonomike në vend, po vlerësojnë se në bazë të Kushtetutës së Kosovës, marrëveshja që u nënshkrua dje midis Kosovës dhe Serbisë, nuk i nënshtrohet ratifikimit në Kuvend, njofton Insajderi.
Analisti politik, Ramush Tahiri ka cilësuar se marrëveshja e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, është historike për depërtimin e madh të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ndërkaq ka shtuar se dobi tjetër e marrëvesjes është edhe pakoja financiare disa miliardë dollarëshe.
Sa i përket marrëveshjes për “Mini-shengen”, ai thotë se nuk duhet pasur frikë, sepse Kosova vetëm fiton me “Mini-shengen”, duke u forcuar Kosova dhe Shqipëria.
“Vetëm konkurrencë të drejtpërdrejt, edhe me Serbinë, ne s’kemi çka i frikohem, edhe me Maqedoninë Veriore, por bashkë me Shqipërinë për treg të përbashkët ne mund ta lidhim kapitalin, interesin tonë me Shqipërinë. Pra, dalim më të fuqishëm karshi kombeve tjera, edhe Malit të Zi, Maqedonisë Veriore dhe Serbisë. Pra, Mini-shengeni, unë nuk pajtohem me kritikat që i ka pasur LDK-ja dhe Isa Mustafa, si dhe kryeministri aktual. Unë mendoj se Mini-shengeni është në dobi të Kosovës, jo vetëm pse po e thotë SHBA”, thekson Tahiri për KP.
Ndërsa sa i përket marrëveshjes ndërmjet palës kosovare dhe serbe për Ujmanin, Tahiri thotë se për këtë pikë ka kritika jo profesionale.
“Kritika për Ujamnin, është kritikë jo profesionale, sepse në marrëveshje është parë që qeveria amerikane me bërë fizibilitetin e shfrytëzimit. Sot për momentin Kosova s’e shfrytëzon hiq Ujmanin… Me atë fizibilitet i pranohet sovraniteti Kosovës… Pa qare duhet të menaxhohet mënyra e ujërave dhe mënyra e shfrytëzimit. Ndërsa, sa i përket kapacitetit që është ndërtuar, ajo rregullohet në bazë të ligjeve të Kosovës dhe Kosova nuk do të ketë ndonjë pasojë. Marrëveshja është ekonomike dhe duhet të shihen përfitimet ekonomike që janë për Kosovën, por që janë edhe për Serbinë… (8) Besoj që Kosova ka filluar mjaft, jo shumë, por ka fituar aq sa mundur. Kosova edhe një herë u dëshmua aleat i Amerikës. Amerika ka fol në emër të Kosovës. Sa i përket ratifikimit, neni 18 i Kushtetutës është i qartë, kjo marrëveshje nuk i nënshtrohet ratifikimit”, thotë Tahiri.
Nga ana tjetër, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka thënë se Shtëpinë e Bardhë nuk ka marrëveshje ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, sepse të gjithë ato kanë konatacion dhe ngjyrë politike.
Derisa Gërxhaiu ka thënë se nuk ka ndarje të Ujmanit, nuk ka ndërrim të territorit, por duhet durim për të pritur raportin final të fizibilitetit amerikan për këtë pasur kombëtare.
“Në këtë drejtim do të krijohet një dokument që do të jetë në funksion të shfrytëzimit të Ujmanit. Nuk mund të prejudikohet asgjë tani lidhur më këtë çështjen derisa nuk përfundon studimi i fizibilitetit nga ekspertëve amerikan. Prandaj, mendoj se është një momentum që kërkon durim, kërkon përgatitje dhe kërkon gatishmëri që pas prezantimit të impementohet dhe zbatohet. Pra, nuk duhet që kjo pikë të politizohet”, theksoi Gërxhaliu. /Insajderi.com