Vendimi i kryeminstrit serb, Aleksnader Vuçiq, që ta qoj vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, për analistët në Serbi do të ketë ndikim edhe në Kosovë.
Analisti politik serb, Dushan Janjiq ka thënë se Brukseli do t’i kërkojë Kosovës të organizojë zgjedhje të jashtëzakonshme, nëse nuk stabilizohet gjendja politike në vend
“Përderisa zyrtarët e qeverisë së Kosovës nuk bëjnë marrëveshje me opozitën, Brukseli do të kërkojë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe kjo do të mund të pritet gjatë muajit shkurt. Brukseli sheh stabilizimin e skenës politike në Kosovë vetëm nëpërmjet zgjedhjeve. Kjo natyrisht lidhet edhe me çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi”, ka thënë Janjiq për mediat serbe, transmeton Insajderi
Më tutje Janjiq ka thënë se një tjetër zhvillim mund të ndodhë edhe në Bosnje e Hercegovinë, ku Milorad Dodik, presidenti i Republikës serbe në Bosnje po kërcënon për një referendum, me anë të së cilit sipas Janjiq ai synon të përfitojë personalisht.
Ndërkaq gazetari shqiptar në Beograd, Idro Seferi ka thënë se ciklet zgjedhore në Kosovë, Serbi dhe në Republikën serbe në BeH do të fillojnë procesin e normalizimit të raporteve.
“Në aspektin e brendshëm të planit nuk do të ndryshojnë shumë gjërat në Serbi, as në Kosovë e as në Bosnje. Mendoj që është e pamundshme të gjindet një alternativë dhe se kjo do të sjellë deri në politika dhe ide nacionale, pa plan konkret të zhvillimit rajonal”, ka thënë gazetari Idro Seferi.
Më tutje Seferi ka thënë se edhe Mali i Zi do të jetë pjesë e skenës rajonale të zgjedhjeve.
“Politika duhet ta kuptojë në aspektin rajonal se nuk ka zgjedhje, vetëm të realizojë ide të mira dhe pozitive të bashkëpunimit me njerëzit që jetojnë aty. Por ne jemi larg kësaj, sepse politikanët tanë dëgjojnë vetëm instiktin e tyre. Kemi hyrë në një errësirë të thellë pa ndonjë shpresë se diçka do të ndryshojë në jetët e njerëzve. Mendoj që zgjedhjet do të sjellin rezultat vetëm nëse paraqiten njerëz dhe mundësi të reja”, ka thënë Seferi, përcjell Insajderi.
Sipas gazetarit Idro Seferi, vetëm dy gjëra janë të sigurta në regjion.
“Në këtë regjion ka vetëm dy gjëra të sigurta – Eurointegrimet dhe nacionalizmi dhe në këtë process ose do të qetësohemi në BE ose do të ‘vritemi’ në kuptimin modern”, ka përfunduar Seferi
Proceseve zgjedhore që do të mund të ndodhin në Kosovë, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, sipas analistëve u shtohet edhe mundësia e organizimit të një procesi zgjedhor edhe në Malin e Zi.