Analistët: Qeveria e ardhshme me pakicat, por ka gjasa të ketë zgjedhje

Analistët: Qeveria e ardhshme me pakicat, por ka gjasa të ketë zgjedhje

Hyrja e koalicioni Nisma-AKR në Kuvendin e Kosovës dhe humbja e tre deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe një nga Lidhja Demokratike e Kosovës, mund të krijojë vështirësi në arritjen e numrave të nevojshme për formimin e qeverisë, vetëm nga këto dy parti.

Analistët politik po deklarojnë se krijimi i qeverisë në situatën aktuale politike në vend mund të bëhet përmes bashkëqeverisjes me minoritetet apo koalicionin Nisma-AKR, por nuk e përjashtojnë mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje.

Njohësi i çështjeve zgjedhore, Albert Krasniqi, ka shkruar se Lëvizja Vetëvendosje do të ketë tre deputetë më pak, LDK-ja një deputet më pak. Nga një deputet më pak do ta kenë edhe PDK-ja e koalicioni AAK-PSD.

Me këtë numër të deputetëve, VV dhe LDK, e kanë të pamundur formimin e qeverisë vetëm nga këto dy subjekte politike.

Analisti politik, Ramush Tahiri, ka deklaruar se aktualisht Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK nuk i kanë numrat për të formuar qeverinë, prandaj thotë është i nevojshëm bashkëpunimi me partitë e pakicave.

“Këto dy parti nuk mund ta krijojnë qeverinë vetë, për me i bë 61 vota. Këto dy parti mund të krijojnë qeveri nëse i marrin minoritetet jo serbe dhe si partnerë të koalicionit por nëse i marrim reagimet e komunitetit egjiptian…kërkojnë ministra, nëse Albin Kurti me Isa Mustafën e bëjnë koalicionin me 12 ministri, 2 ministra iu takojnë komuniteteve, atëherë mbesin 10 ministri me u nda…Nisma do jetë gurë i pakapërcyeshëm për qeverinë kushdo që e bënë”.

Tahiri thotë se analizuar situatën aktuale në vend gjasat që vendi të shkojë në zgjedhje janë shumë të mëdha.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje doli e para, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

E grupet punues të këtyre dy partive deri më tani kanë zhvilluar disa takime të përbashkëta përmes të cilave kanë deklaruar se kanë harmonizuar programin bashkëqeverisës në shumë aspekte, por që lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar se diskutimet me Vetëvendosjen do i vazhdojnë pas certifikimit të rezultateve.

Kushtetuta e Kosovës e përcakton se Qeveria Kosovës mund ta formojë vetëm partia apo koalicioni që i fiton zgjedhjet, që në këtë rast nënkupton Lëvizjen Vetëvendosje, e cila më pas ka të drejtën e përzgjedhjes se me cilën apo me cilat parti politike dëshiron ta formojë qeverinë e re për mandatin e ardhshëm katërvjeçar./Insajderi.com