Anëtarët e Komisionit të AKI-së: Për rastin e djalit të Maxhunit do të diskutohet të martën  

Dy anëtarët e komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së Ganimete Musliu dhe Anton Quni kanë deklaruar se në komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së do të diskutohet rasti i djalit të shefit të këtij institucioni ndaj të cilit prokuroria ka nisur hetimet pasi në veturën, pronë e Enver Maxhunit, babait të Shpend Maxhunit, dyshohet se janë gjetur drogë dhe armë pa leje.

Anëtarët e Komisionit të AKI-së: Për rastin e djalit të Maxhunit do të diskutohet të martën  

Ganimete Musliu, nënkryetare e komisionit për mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tha për Insajderin se të martën është mbledhja e rregullt e këtij komisione dhe në të do ta diskutojnë rastin që lidhet me djalin e Shpend Maxhunit.

“Unë për rastin në fjale jam informuar sot nga mediat dhe nuk mund të deklarohem pa u informuar në detaje se çka me të vërtetë ka ndodhur. Edhe ashtu të marten e kemi mbledhjen e rregullt të Komisionit,  e tani është e kuptueshme që do të diskutojmë edhe për këtë çështje ku bashkë me anëtarët e Komisionit  do ta trajtojmë rastin dhe çdo gjë që na obligon neve si Komision do t`i përgjigjemi në kohë”, tha Musliu për Insajderin.

Anëtari tjetër i këtij komisioni, Anton Quni tha se ky komision në asnjë rast nuk i mbikëqyr familjarët e zyrtarëve të AKI-së.

Por thotë se për këtë rast do të bisedojmë brenda komisionit dhe e vendosin për hapat tjerë që do të ndërmerren.

“Unë shpresoj e për me tepër dua te besoj  që organet e drejtësisë do ta trajtojnë këtë rast konform ligjeve të Kosovës që janë në fuqi”, tha Quni.

Quni tha se si prind dhe deputet shpreh shqetësimin se rinia cdo ditë e më shumë po bien pre e rrjeteve që po i nxisin në përdorim apo trafikim të substancave të ndryshme narkotike “si dhe po shfaqen edhe prirje të dhunshme nga ta”.

“Nga kjo dukuri devijante nuk janë imun as fëmijët e zyrtarëve të lart shtetëror. Prandaj, kjo dukuri do të duhej të trajtohej nga të gjitha dimensionet duke u siguruar që organet e drejtësisë të veprojnë të pandikuara nga autoritetet zyrtare edhe kur kemi të bëjmë me raste si ky që ju po i referoheni”, tha më tej Quni.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet lidhur me këtë rast. Lajmin e ka konfirmuar zëvendës kryeprokurori Ibrahim Berisha.