Anëtari i LDK-së kritikon partinë e tij: LDK nuk po di të sillet si parti

Anëtari i LDK-së kritikon partinë e tij: LDK nuk po di të sillet si parti

Anëtari i LDK-së, Skender Hyseni, ka kritikuar udhëheqjen e partisë së tij duke thënë se nuk po di të sillet si parti politike.

Hyseni që ka qenë ndër njerëzit më të afërt të presidentit Rugova, thotë se kryetarët që pasuan Ibrahim Rugovën nuk arritën të gëzojnë autoritetin e duhur, andaj vlerëson se për këtë qëllim po ndodhin problemet brenda këtij subjekti politik.

“Nuk është koha kur kemi pasur një autoritet si Ibrahim Rugova, i cili ka vendos lehtë, pasi që çdokush e ka përfillur dhe e ka dëgjuar. Sot kemi një situatë tjetër dhe ne duhet ta shohim. Prej një lëvizje gjithëpopullore LDK-ja po rrëshqet drejt profilizimit si parti politike dhe këtu e shoh një defekt të vogël te LDK-ja, sepse ende nuk është mësuar që të sillet si parti politike, më shumë si lëvizje si grupacion”, thotë Hyseni, për Ekonomia Online.

Por ai këtë e sheh si një entuziazëm të tepruar, i cili nuk do ta dëmtojë LDK-në.

Hyseni nuk ka dashur të përmend emra se kush do duhet të jetë kryetar i ardhshëm i LDK-së.

Nuk e përjashton mundësinë e një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e kryetarit, kryesisë dhe këshillit të përgjithshëm.

“Do ta dimë atë ditë kush janë kush është apo kush janë varësisht nga veprimet paraprake që do të bëhen nuk përjashtoj mundësinë e ndonjë marrëveshje paraprake, konsensuale për të ndërtuar struktura të qëndrueshme udhëheqëse të partisë, edhe kryetari edhe kryesia edhe këshilli i përgjithshëm”, tha ai.