Anëtari i Vetëvendosjes dënohet për terrorizëm

Anëtari i Vetëvendosjes dënohet për terrorizëm

Anëtari i Vetëvendosjes, Sadri Ramabaja i akuzuar në rastin “Syri i Popullit”, është dënuar sot me 5 vjet burg nga Gjykatën Themelore në Prishtinë, për vepra penale terroriste

Ramabja së bashku me Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha kishin planifikuar sulme dhe  vrasje ndaj personaliteteve të lartë shtetëror të konsideruar si ish funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtar të vendit.

“Të pandehurit Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, pretendohet se më 15 maj 2017, siç thuhet në aktakuzë, si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin ‘Avni Rrustema’ diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që të destabilizonin ose shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës”, raporton Betimi për drejtësi.

Sipas aktakuzës, të njëjtit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe  vrasje ndaj personaliteteve të lartë shtetëror të konsideruar si ish funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtar të vendit. Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë etj.

Rasti tjetër për të cilin dyshohet Ramabaja ka të bëjë me plagosjen e ish-anëtarit të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, Azem Vllasi, i cili tash është avokat.

Prokuroria e kishte vendosur në listën e të dyshuarve Ramabajën pasi Murat Jashari kishte pasur takim me Ramabajën pak kohë para se ta plagoste Vllasin./Insajderi.com