Pas kërkesës së kryeministrit Ramush Haradinaj, Ministria e Arsimit shkarkoi sot të gjithë anëtarët e Bordit të Këshillit Shtetëror në Agjencinë Kosovare të Akreditimit. Në njoftimin e MASHT-it, u tha se shkarkimi i anëtarëve të Bordit të AKK-së u bë për shkak të disa “parregullësive”.
E për këto parregullësi të pretenduara nga MASHT-i, ka reaguar ish-anëtari i Bordit të AKK-së, Lul Raka. Ai, përmes një letre publike drejtuar kryeministrit Haradinaj, i ka sqaruar atij për disa nga ato “parregullësitë serioze” për të cilat fliste MASHT-i.
Letra e Lul Rakës drejtuar kryeministri Haradinaj:
I nderuar Kryeministër Z. Haradinaj, Në vendimin e sotëm kishit kërkuar nga Ministri i Arsimit (kandidat për kryetar të Prishtinës) shkarkimin e tërë Bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim. Pasi që nuk është hera e parë që më ndodh shkarkimi i tillë,këtë lajm e mora me sportivitet.
Herën e parë, Ramë Buja, më pat shkarkuar vetëm mua. Preteksti i shkarkimit qenka “parregullsi serioze të agjencisë”. Si anëtar i Bordit dhe përfaqësues nga sektori i shëndetësisë dua t’i sqaroj opinionit publik disa nga këto “parregullsi serioze”:
1. Kam qenë kategorikisht dhe jam ende kundër hapjes së drejtimeve të mjekësisë së përgjithshme në cilindo institucion privat të arsimit të lartë të Kosovës. Rezonanca dhe UBT kanë aplikuar, por akreditimi i tyre është refuzuar nga Agjencia (me sygjerimin tim).
2. Kam qenë edhe kundër hapjes së drejtimeve të Stomatologjisë e Farmacisë, por votova “pro”, për shkak të numrit të kufizuar të studentëve të regjistruar.
Në mbledhjen e së premtes së shkuar këto institucione kërkuan rritjen e menjëhershme të numrit të studentëve.
– Kolegji AAB, kërkoi që në vend të 25 studentëve në Stomatologji t’i regjistrojë 120 sosh. Kurse, në Radiologji në vend të 30 studentëve t’i regjistrojë 120.
– Kolegji UBT kërkoi që në vend të kuotave të votuara në Farmaci prej 20 studentësh ta rrisë numrin në 50; në Stomatologji në vend të 20 studentëve në 50 dhe infermieri në vend të 50 studentëve të regjistrojë 300 studentë. Kam votuar kundër rritjes edhe për një student të vetëm.
3. Kolegji AAB vetëm në infermieri për një vit ka regjistruar mbi një mijë studentë! Rregullsi se jo mahi!
4. Në periudhën sa kam qenë në Agjenci janë mbyllur 140 programe në të gjitha institucionet publike e private në Kosovë.
5. Unë vazhdoj të jem i qetë për këto “parregullsi” që kam bërë dhe do të vazhdoj kurdo që kam mundësi me parregullsi të tilla, duke mos u pajtuar që arsimi i lartë në shëndetësi të duket si një biznes qebaptoresh. I nderuar Kryeministër. Kaq pata. Nuk kam aspak hatërmbetje.
Suksese në punë.
Lul Raka,
Kaçanik