fbpx

Anëtarja e VV-së që fyu komunitetin LGBTI duke i quajtur të sëmurë – punon në Ministrinë e Kulturës dhe Rinisë

Anëtarja e VV-së që fyu komunitetin LGBTI duke i quajtur të sëmurë – punon në Ministrinë e Kulturës dhe Rinisë

Anëtarja e Vetëvendosjes, Donika Gashi, ka thënë se e konsideron homoseksualizmin si “sëmundje dhe çështje epshi të pakontrolluar”.

Këto komente ajo i ka bërë në një postim të saj në Facebook, një ditë përpara se të mbahej Parada e Krenarisë nga komuniteti LGBTI.

Gashi ka shkuar edhe më tej në fyerje, duke përdorur fjalën “shkije” derisa u referohej anëtarëve të LGBTI-së.

Donika Gashi është Zyrtare për Bashkëpunim dhe Koordinim në Divizionin për Zhvillimin e Politikave Rinore, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që udhëhiqet nga PDK-ja.

“Departamenti i Rinisë, i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka si mision fuqizimin e të rinjve dhe krijimin e mjedisit përkrahës për zhvillimin shoqëror dhe personal të tyre, krijimin e mundësive për promovim, zhvillim dhe pjesëmarrje te të rinjve në jetën aktive shoqërore si dhe ofrimin e shërbimeve të barabarta për të rinjtë, që mundësojnë zhvillimin e shkathtësive jetësore dhe  vlerave shoqërore, duke respektuar veçoritë individuale tek të rinjtë”, thuhet në përshkrimin e politikave programore për rininë, në web-faqen e MKRS-së.

Postimi fyes i anëtares së VV-së bie ndesh me këtë paragraf të shkruar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por edhe me politikat e promovuara të Vetëvendosjes për drejtësi e barazi.

Në web-faqen e MKRS-së thuhet se kjo Ministri gjithashtu identifikon grupe të caktuara të rinisë si dhe zhvillon programe për t’u marrë me nevojat e tyre.

Por, Donika Gashi, përpos që nuk merret me nevojat e grupeve si LGBTI, fyen dhe denigron anëtarët e këtij komuniteti.