Një anije mallrash që mbante flamurin shqiptar dhe tetë persona në bord është përplasur mëngjesin e sotëm në Lefkada të Greqisë.
Anija është përplasur me shkëmbinj ujorë dhe ka futur ujë brenda.
Sipas Ministrisë Detare greke, anija “Koravi” kishte në bordin e saj 1,900 ton metrikë hekuri, të cilën e kishte ngarkuar në Amaliada të Volos dhe ishte nisur për në Shqipëri. Ekuipazhi i anijes u evakuua dhe u transferua në qendrën shëndetësore të ishullit për arsye sigurie.
Në zonën ku ka ndodhur incidenti mbërritën anije të rojes bregdetare dhe dy anije të tjera. Nga të dhënat e para nuk bëhet me dije shkaku i aksidentit, ndërsa pritet që grupi hetimor të zbardhë të gjithë dinamikën e ngjarjes, e cila i shkaktoi përplasjen anijes në bregdet.