
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka hedhur poshtë ankesën e televizionit KTV kundër IPKO-s. KTV-ja ka parashtruar kërkesë në AKK kundër IPKO-s për shkak të zhvendosjes së KTV-së nga kanali 3 në 83.
Në dokumentin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës thuhet se në bazë të dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, gjatë shqyrtimit paraprak të hetimit të situatës në tregun relevant, AKK ka konstatuar se nuk ka argumente që të nisin hetime ndaj IPKO-s për këtë çështje.
KTV-ja ishte ankuar duke pretenduar se është keqpërdorur pozita e saj dominuese në treg, me arsyetimin se “zhvendosja e kanalit të KTV-së nga kanali 3 në kanalin 83, ka vendosur KTV-në në pozitë të disfavorshme me RTV 21, i cili është konkurrent i vetëm i televizionit Koha Vision – KTV në tregun e televizioneve private me frekuencë kombëtare dhe televizione tjera”.
“Në kohën kur është dorëzuar kërkesa e Grupit KOHA, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës nuk e kishte funksional Komisionin, si organ vendimmarrës, e me këtë rrjedhimisht ka qenë e pamundur për të ndërmarrë veprime ligjore lidhur me këtë çështje”, thuhet në arsyetimin e konkluzionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.
Kërkesën nga Koha, AKK-ja e ka marrë më 20.05.2013 kundër IPKO Telecommunication me pretendimin për Keqpërdorim të Pozitës Dominuese në Tregun e Platformës Digjitale Kabllore.