Anketa e “Balkan Green Foundation”: Mbi 80 për qind e qytetarëve konsumojnë mbi 600 kWh rrymë brenda muajit

Anketa e “Balkan Green Foundation”: Mbi 80 për qind e qytetarëve konsumojnë mbi 600 kWh rrymë brenda muajit

82 është përqindja e konsumatorëve në Kosovë të cilët shpenzojnë mbi 600 kilovatë energji elektrike brenda muajit.

Kështu është bërë e ditur në një hulumtim të realizuar nga organizata rajonale “Balkan Green Foundation”, përmes anketimit të 623 familjeve kosovare mbi shpenzimet e energjisë elektrike.

Anketa është realizuar online, dhe ka qenë e hapur për të u plotësuar nga të gjithë qytetarët​.

“Anketa ka kërkuar nga qytetarët që të ofrojnë të dhëna të marra nga fatura e energjisë elektrike për muajin dhjetor 2021, numrin e anëtarëve të familjes dhe të​ ardhurat familjare”, thuhet në njoftimin e organizatës.

“Mesatarja e pjesëmarrësve në anketë ishte: 4 anëtar për familje – me 23% të të anketuarve me të ardhura mujore mbi 1000 EUR, 34% të të anketuarve me të ardhura mujore 500-1000 EUR dhe 43% të të anketuarve me të ardhura mujore nën 500 EUR”.

Anketa tregon se nga 623 familje të anketuara ngrohen me: 43 për qind energji elektrike; 25 përqind me shporet me dru; 9 për qind kategori e kombinuar (shporet me dru dhe energji elektrike); 8 për qind kalda me pelet; 5 për qind ngrohtore qendrore; 5 për qind klimë për ngrohje; 4 për qind pompë termike dhe 1 për qind mënyra të tjera të ngrohjes.

Rinora Gogani nga “Balkan Green Foundation”, thotë për Shqip.com se rezultatet e anketës kanë qenë të habitshme.

“Mostra nuk është doemos e përafërt me numrin e njësorëve, pasi janë mbi 5 mijë njësorë të regjistruar. Në pyetësorin tonë kanë marrë pjesë vetëm 623 familje”.

“Por, megjithatë ka qenë e habitshme që 82 për qind shpenzojnë mbi 600 kilovatë në orë energji elektrike. Sidoqoftë, është e vështirë të komentohet pasi Zyra e Rregullatorit ende nuk ka dalë me vendim se si do të bëhet ndarja”.

Sipas saj, është e rëndësishme që qytetarët të fillojnë të ulin konsumin e energjisë elektrike, por “kjo s’mund të ndodh brenda ditës”.

“Kjo pasi për vite të tëra, është menduar se energjia elektrike është mënyra më e mirë për t’u ngrohur pasi është më e lirë”.

Rinora Gojani

Ndryshe, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar fatura me çmime më të larta për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovatë për orë energji elektrike.

Këtë propozim e kanë kundërshtuar partitë politike dhe shoqëria civile edhe me protesta.

Propozimi për ndryshim të çmimit të energjisë elektrike erdhi si pasojë e mos mbulimit të kërkesës nga prodhimi i brendshëm dhe blerja me çmim të lartë në berëzën ndërkombëtare.

ZRRE-ja ka propozuar që çmimi i energjisë elektrike për ata që shpenzojnë mbi 600 kilovatë të rritet për 12.31 euro në muaj, ndërsa mbi 1000 kilovat 24.64 euro në muaj.

Vendimi pritet të aplikohet nga ky muaj./Insajderi.com