Ankthi i familjes së Tomorr Morinës në pritje të vendimit të autoriteteve maqedonase

Ankthi i familjes së Tomorr Morinës në pritje të vendimit të autoriteteve maqedonase

Familjarët e ish-ushtarit të UÇK-së, Tomorr Morinës të arrestuar nga Policia e Maqedonisë së Veriut, po shprehen të indinjuar me  institucionet e Kosovës që sipas tyre nuk po angazhohen aq sa duhet për ish-luftëtarin e UÇK-së që u arrestua me urdhër të Serbisë që nga 24 korriku i këtij viti.

Insajderi, ka vizuar sot familjen e Morinës, ku ka biseduar me dy familjarët e tij, njëri prej të cilëve ka qenë edhe bashkëluftëtarë me Tomorr Morinën. Ata janë shprehur të pa kënaqur me institucionet e Kosovës.

E ëma e Tomorrit – e cila nuk është mirë emocionalisht që nga burgosja e djalit nuk ka pranuar të flasë para kamere. Por, ka angazhuar djalin e vëllait, Gurakuç Dobrunën që të jap informacione rreth rastit të Tomorrit.

“Tomorri është frymëzuar tek dajtë e vet sepse shumica prej tyre kanë qenë të burgosur të ish-sistemit me burgje të gjata i dimë vuajtjet e tyre dhe tash nëna e tij, e cila ka përjetuar edhe burgosjet e vëllezërve tash më në fund po i përjeton edhe burgosjen e djalit dhe e kuptoje që ajo është shumë e mërzitur dhe për këtë arsye edhe nuk mund të komunikojë me mediat dhe më ka angazhuar mua”, ka thënë Dobruna për Insajderin.

Insajderi ka realizuar një intervistë edhe me bashkëluftëtarin e Morinës, Lekë Dobrunën të cilin njëherësh e ka edhe djalë të hallës.

Leka është shprehur i mllefosur me institucionet e Kosovës, përderisa thotë se nuk e çudisin fare veprimet e Serbisë.

“Ata (Serbia) thjesht e kryejnë punën e vet kanë me i pas gjithmonë këto sjellje, gjithmonë kanë me i përndjekë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thjesht unë e shoh si neglizhencë të institucioneve të Kosovës që s’kanë bë më shumë, së pari duke u nisë prej statusit të veteranëve, invalidëve etj. Më shumë kanë këqyr ish-komandantët për veti por jo për ushtarët e thjeshtë”, është shprehur ai.

Gjatë kësaj interviste, familjarët e Tomorr Morinës na japin detaje për atë se çfarë ishte duke bërë Tomorri në Maqedoninë e Veriut përderisa u arrestua. Pse po i gëzon fakti që Tomorri është i pajisur me pasaportë britanike? Kush u interesua përveç siç thonë ata tentativave të shtetit tonë për mirëqenien e tij në burg. A besojnë që do të ekstradohet në Serbi? Dhe a presin që Tomorri të lirohet?

Nga Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë kanë deklaruar se Morina shumë shpejt do të lirohet. Teksa, avokati i tij Naser Raufi tha se pret vendim pozitiv të gjykatës ndaj kërkesës që ai ka bërë, për mbrojtjen në liri të klientit të tij, Morinës.

Sot (e mërkurë) në Gjakovë në sheshin “Nëna Tereza” pati edhe një protestë – ku u kërkua lirimi i menjëhershëm i Tomorr Morinës, ish-ushtar i UÇK-së./Insajderi.com