Anulohet logoja e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës

Anulohet logoja e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës

Këshilli Organizativ për Shënimin e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës thotë se i ka pranuar me shqetësim reagimet e publikut për ngjashmërinë e logos së dhjetëvjetorit të pavarësisë me logon e një kompanie gjermane, duke i shqyrtuar me kujdes të gjitha mundësitë për të vazhduar sa më mirë me organizimet për këtë ditë të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët tanë.

“Ne i falënderojmë autorët e logos për gatishmërinë e tyre që të japin sqarime deri në detaje për procesin e dizajnimit të logos dhe e vlerësojmë kontaktin që kanë krijuar me kompaninë gjermane për të hequr çdo dyshim se logoja e prezantuar është autentike, përkundër ngjashmërive që kishin këto dy logo”, thuhet në njoftim.

“Jemi të vetëdijshëm se nga miliona logo që ekzistojnë në botë, ngjashmëritë rastësore janë shumë të mundshme. Por, e kuptojmë edhe shqetësimin e qytetarëve të Kosovës dhe të institucioneve që përfaqësojmë, që një feste siç është dhjetëvjetori i pavarësisë nuk duhet t’i bie asnjë hije e keqe, sado e vogël që ajo mund të jetë”, thuhet më tej aty.

Ku Këshill thotë se, duke pasur mirëkuptimin e autorëve të asaj logoje, Këshilli Organizativ ka vendosur që të ndryshojë logon e dhjetëvjetorit të pavarësisë dhe të prezantojë logon e re.

“I falënderojmë të gjithë ata që kanë konkurruar në konkursin e hapur publik, kurse fituesin e ri, Zeni Ballazhi, i cili ishte përzgjedhur edhe fitues i propozimit për dizajnin e Medaljes Presidenciale për 10 Vjetorin e Pavarësisë, e urojmë për punën e tij dhe e falënderojmë për bashkëpunimin”, përfundon njoftimi./Insajderi.com