Me vendimin e djeshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në mes të shkurtit, janë marrë edhe disa vendime nga ekzekutivi që po vazhdon të jetë në detyrë ani pse është shpallur jo-kushtetues nga Gjykata që përcakton një gjë të tillë.
Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, e organizuar të mbahej më 25 janar në Shkup, është anuluar.
Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Online Insajderi, zëvendëskryeministrja në detyrë, Albulena Balaj Halimi, njëherësh edhe koordinatore e kësaj mbledhje.
Ajo tha se mbledhja e dy qeverive e paraparë të zhvillohet në javën e fundit të janarit, është anuluar si pasojë e zhvillimeve të fundit në vend të cilat kanë të bëjnë me zgjedhjet e parakoshme.
“Mbledhjen me Maqedoninë e Veriut e kemi anuluar për shkak të zhvillimeve në vend (zgjedhjet). Nuk kishte kuptim që kjo qeveri të mbajë atë mbledhje, prandaj e kemi anuluar”, ka thënë Balaj-Halimi për redaksinë.
Javë më parë ministrat ishin informuar lidhur me përgatitjet që po zhvilloheshin për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të këtyre dy qeverive, por si duket një gjë e tillë tashmë nuk do të mund të ndodhë.
“Jemi dakorduar që mbledhja e përbashkët të mbahet më 25 janar 2021, në Shkup, në hapësirat e Maqedonisë së Veriut”, kishte thënë Balaj në dhjetor të vitit që lamë pas, atëherë kur edhe u vendos të organizohej një tryezë e përbashkët midis këtyre dy institucioneve shtetërore.
Në mbledhjen e mbajtur më 21 dhjetor nga ekzekutivi ishte miratuar edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut për kalimet e përbashkëta kufitare Han i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë, si dhe nismën për marrëveshjen për bashkëpunim në turizëm në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, por nuk dihet nëse qeverisja e ardhshme e Kosovës do të jetë dakord për miratimin e këtyre nismave.
Madje, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Agim Veliu kishte deklaruar se krejt kjo po bëhet në mënyrë që të krijohen lehtësi në procedurat dhe masat që ndërlidhen me kontrollet kufitare të menaxhimit ndërkufitar.
Në po të njëjtën ditë, Gjykata Kushtetuese kishtë publikuar aktgjykimin sa i përket vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi, e cila ishte vendimtare në formimin e Qeverisë Hoti, por që kjo votë u shpall e pavlefshme dhe me vendim të Gjykatës u bë e ditur se brenda 40 ditëve, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. /Insajderi.com