Anulohet seanca e nesërme ndaj Salih Mustafës

Anulohet seanca e nesërme ndaj Salih Mustafës

Është anuluar seanca e së mërkurës në Gjykatën Speciale ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafës.

Kjo pasi dëshmitari i tretë e ka përfunduar dëshminë, raporton Insajderi.com

Ishte paraparë që ky dëshmitar të paraqitet edhe nesër, por procesi i dëshmisë së tij mbaroi sot.

Çfarë ka deklaruar dëshmitari i tretë në Gjykatën Speciale?

Dëshmitari i tretë në rastin e gjykimit në Hagë, të Salih Mustafa, në ditën e dytë të dëshmisë së tij thotë se gjatë kohës sa po qëndronte në objektin që pretendon se po mbahej nga Mustafa dhe ushtarët e tjerë, pas rrahjeve të vazhdueshme me ç’rast i janë thyer edhe dhëmbët, ka pësuar infeksion në nofull, njofton Shqip.com.

Kështu u shpreh ai derisa dha dëshminë e tij gjatë së martës para trupit gjykues të Dhomave të Specializuara, kur u pyet nga mbrojtja e viktimave.

Kur u pyet se si arriti t’i shpëtojë infeksionit dhe kush e trajtoi atë, dëshmitari tha se mjekë privatë e kanë kontrolluar dhe e kanë trajtuar atë, pasi nuk guxonte të shkonte në spital.

Ai madje akuzon se Mustafa dhe të tjerët ishin të lidhur me spitalet dhe ambulantat, për atë shkak edhe nuk ka kërkuar ndihmë mjekësore nga ta.

“Kam pasur infeksion në nofull meqë i kam pasur edhe dhëmbët e thyer. Edhe sot është diçka që shihet, ka mbetur, ka qenë një infeksion shumë i keq, mjeku më ka thënë shumë mirë që ke ardhur dhe nuk ka shku infeksioni në kokë dhe ndërkohë i kam rregulluar edhe dhëmbt”.

“Edhe ashtu i kam pasur të thyer dhëmbët, por edhe ai infeksion nuk e di se si ka ardhur… por kam bërë operimin dhe i rregullova dhëmbët”.

“Jam trajtuar në mënyra private sepse për të shkuar në spital nuk kam mundur të shkojë e t’i them më ka dëmtuar UÇK-ja, për atë jam trajtuar nga njerëz privatë, mjekë privatë. Këta i kanë pasur të gjithë të uzurpuar ambulantat, kanë qenë vetë të zotët aty”.

I pyetur për detaje lidhur me pasojat që tashmë bartë nga përjetimet e tij gjatë qëndrimit në “stallë lopësh”, siç deklaroi të hënën, ai ka shpejguar se e përjeton rëndë kur i kthehen kujtimet.

“Pasojat që sot i barti unë janë psiqikisht, shoh ëndërra të përjetimeve të rënda që i barti edhe sot. Shpesh herë më duhet të rri me qetësues ose diçka”, tha ai.

“Një film me shiku me luftë apo diçka, kur shkoj në mbrëmje për të fjetur bërtas, kam familje që më kupton. Më kujtohet zërat e njerëzve, këto gjëra më kthehen të gjitha. Zëra të viktimave por edhe të njerëzve që kanë torturuar. Në atë moment shfaqen ato zërat, bërtimat, të sharat”. /Insajderi.com