Anulohet seanca gjyqësore ndaj deputetit Etem Arifi

Anulohet seanca gjyqësore ndaj deputetit Etem Arifi

Seanca gjyqësore ndaj deputetit nga radhët e Partisë së Ashkalinjëve të Kosovës, Etem Arifi, e cila ishte paraparë që të mbahej sot, është anuluar, transmeton Insajderi.

Arifi pritej që sërisht të dilte para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, mirëpo nga zyra e gjykatësit Vesel Ismajli është bërë e ditur se gjykatësi Naser Foniqi mungon pasi nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe si shkak i mungesës së tij nuk është arritur që të kompletohet trupi gjykues, raporton Betimi për Drejtësi.

Gjykata e Apelit, kishte vendosur që Arifi të rigjykohet për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, për të cilën ishte liruar nga gjykata e shkallës së parë.

Etem Arifi ishte dënuar më 20 prill 2018, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, me dy vjet burgim me kusht, pasi ai ishte shpallur fajtor për veprën penale të mashtrimit me subvencione. /Insajderi.com