Anulohet takimi i partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut

Anulohet takimi i partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut

Anulohet takimi mes përfaqësuesve të partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që ishte caktuar të mbahej sot në nivel të sekretarëve të përgjithshëm.

Takimi ishte inicuar nga zv/kryeministri i parë dhe sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Artan Grubi.

Ftesa për takim kishin gjithë partitë shqiptare, konkretisht sekretarët e përgjithshëm të partive , ASH-së, AAA-së, Lëvizja BESA dhe PDSH-së. Por, përfaqësuesit e partive opozitare shqiptare ASH dhe AA, thanë se nuk do të marrin pjesë dhe nismën për këtë takim që erdhi nga BDI-ja, pasi që e cilësuan si të vonuar,përcjell Insajderi.

“Për arsye që ne si subjekt politik si dhe si koalicion veçse kemi formuar shtabe për sensibilizimin e qytetareve mbi procesin e regjistrimit, konsiderojmë që një takim i këtillë është i vonshëm dhe i njëjti është dashur të bëhet atëherë kur kishim kërkuar dmth para sjelljes së ligjit për regjistrim ku do të ishin diskutuar dhe marrë parasysh edhe vërejtjet tona”, tha sekretari i Alternativës, Skender Rexhepi-Zejdi.

“Tashmë është vonë, takimi duhej te realizohet para sjelljes së ligjit për regjistrim dhe metodologjisë së regjistrimit. Tani në këtë fazë kur shtabi ynë i ASH-së dhe AAA-së për regjistrim punon me efikasitet të madh dhe kur mërgimtarët regjistrohen masovikisht, nuk jemi të interesuar për një fotografim me Artan Grubin, i cili në kontinuitet po tenton të përvetësojë këtë proces si e arritur e BDI-së, e në ndërkohë pa mos sqaruar ende pse dështoi regjistrimi i vitit 2011”, ka theksuar Arben Taravari.

Takimi ishte thirrur për zhvillimet aktuale që kanë të bëjnë me regjistrimin e popullsisë dhe zhvillimet e tjera aktuale në Maqedoninë e Veriut. I njëjti ishte caktuar të mbahej disa orë para takimit midis krerëve të dy partive më të mëdha maqedonase, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski.

Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim ka njoftuar se është anuluar takimi mes tyre dhe dy partive të koalicioni opozitar shqiptar, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativës.

Siç thuhet në kumtesën e BDI-së, anulimi vjen, ngaqë partitë opozitare nuk kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin e thirrur për ditën e sotme nga BDI-ja. Takimi duhej të mbahej në nivel të sekretarëve të partive dhe temë diskutimi kishte procesin e regjistrimit. /Insajderi.com