Anulohet takimi ku duhej të vendoset për mënyrën e mësimit në Maqedoninë Veriore

Anulohet takimi ku duhej të vendoset për mënyrën e mësimit në Maqedoninë Veriore

Takimin, që duhej ta vazhdonin sot nga Komisioni për sëmundje infektive dhe grupi i punës i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë, në lidhje me protokollet që përcaktojnë mënyrën e mësimit nga 1 shtatori për të gjitha modelet e propozuara, është shtyrë për nesër, konfirmoi , u.d. drejtor i Qendrës për shëndet publik dhe anëtar i komisionit, Aleksandar Stojanov, njofton Insajderi.

Edhe pse u paralajmëruase më 10 gusht do të finalizohen protokollet për fillim të vitit shkollor 2020/2021 në kushte të pandemisë, mbledhja dje përfundoi pa konkluzione dhe me njoftim se do të vazhdojë sot.

Ministria e Shëndetësisë në këtë vend informoi se bisedat do të vazhdojnë sot me qëllim që të gjendet dhe të arrihet zgjidhje më e mirë dhe më e sigurt për mënyrën e zhvillimit të mësimit dhe se vendimin final për mënyrën e zhvillimit të mësimit do ta marrë MASH.

“Komisioni për sëmundje infektive i ka përgatitur masat për mbrojtje dhe protokollet e nevojshme që duhet të respektohen për mbrojtje të fëmijëve dhe arsimtarëve gjatë procesit arsimor. Megjithatë, vendimi final për fillim të vitit arsimor dhe mënyrën e zhvillimit të mësimit është në kompetencë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës”, kumtoi mbrëmë Ministria e Shëndetësisë.

Zëvendësministrja e Arsimit dhe Shkencës, Elizabeta Naumovska deklaroi se u bisedua përpropozimet për kohëzgjatjen e orëve dhe për nevojën për ndryshime të ligjeve nëse ato shkurtohen prej 40 sa janë në arsimin fillor, respektivisht 45 në arsimin e mesëm.

Vendimi për orët e shkurtuara, siç tha ajo, duhet të ketë kornizë ligjore dhe të harmonizohet me ligjet për arsim fillor dhe të mesëm. Ndryshimet duhet t’i miratojë Kuvendi, i cili deri 1 shtator pritet të jetë funksional.

Po ashtu, po shqyrtohet edhe nevoja që do ta kishin komunat për përkrahje shtesë financiare ose tjetër për higjienë në objektet shkollore, për transport të nxënësve, respektivisht për zbatimin e të gjitha instruksioneve, të cilat i përmbajnë protokollet. Ato do të kenë hollësira për tre lloje të mësimit, varësisht nga gjendja epidemiologjike në mjedis të caktuar – me prani fizike, mësim-onlajn ose i kombinuar.

Naumovska potencoi se vazhdimisht janë në biseda me kryetarë të komunave dhe me drejtorë të shkollave për gjendjet reale dhe problemet, në koordinim janë edhe me BNJVL, i kanë marrë mendimet e sindikatës për arsim – SASHK. /Insajderi.com/