Është ndërprerë procesi i vaksinimit sezonal në Prishtinë, i cili ka filluar sot, për shkak të mosrespektimit të masave anti-COVID nga qytetarët të cilët po prisnin në radhë për t’u vaksinuar, njofton Insajderi.
Për shkak të tollovisë së krijuar, Policia e Kosovës, ka intervenuar në këtë rast si dhe ka kërkuar që të pranishmit të shpërndahen nga oborri i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në rrugën “Fehmi Agani” në kryeqytet.
Kështu ka deklaruar për Gazetën Online Insajderi zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 11:00 policia i ka asistuar inspektorët sanitar në QKMF në Rr. “Fehmi Agani” në Prishtinë. Asistenca e kërkuar nga inspektorët ka ardhur për shkak të grumbullimit të madh të qytetarëve (kryesisht persona te moshuar) për marrjen e vaksinave mbrojtëse ndaj gripit sezonal. Duke parë që të njëjtit rrezikonin të ekspozoheshin edhe ndaj virusit aktual SarsCov2, ata janë ftuar të shpërndahen, me qëllim të ruajtjes së shëndetit të tyre dhe shëndetit publik. Të njëjtit janë njoftuar nga kompetentët se procesi i vaksinimit për sot ka përfunduar”, tha Borovci.
Vaksinimi kundër gripit sezonal ka filluar sot dhe do të përfundojë më 11 dhjetor.
Personat e parë që do të vaksinohen janë ata mbi 65-vjeç, personat me sëmundje kronike të dokumentuara, shtatzënat dhe fëmijët mbi 6 muaj./Insajderi.com