Gjykata e Apelit e Kosovës ka lënë në fuqi masat e sigurisë ndaj gjashtë aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Astrit Dehari, Petrit Ademi, Adea Batusha dhe Frashër Krasniqi, të dyshuar për terrorizëm.
Në këtë mënyrë Apelit ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe avokatëve mbrojtës, kundër aktvendimi të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 01.09.2016.
“Sipas këtij aktvendimi, të pandehurve A. A., E. H., A. D., i është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa të pandehurve P. A., A. B. dhe F. K., u është caktuar masa e arrestit shtëpiak. Të gjithë këta persona po dyshohen nga na e prokurorisë se kanë kryer veprën penale “kryerje e veprës terroriste” nga neni 136 lidhur me nenin 135, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërsa i pandehuri A. D., edhe për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve…”, parashikuar sipas nenit 374 të KPRK-së.
“Gjykata e Apelit vlerëson se në rastin konkret janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak, të parapara konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale. Po ashtu kjo gjykatë gjënë se masat e tjera të parashikuara me ligj, janë te pamjaftueshëm për sigurinë e prezencës se të pandehurve dhe rrjedhën normale të procedurës penale”, thuhet në komunikatën per media të Gjykatës së Apelit.