Gjykata e Apelit ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj për burgim të përjetshëm ndaj Naser Pajazitajt për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, përcjell Insajderi.com.
Sipas njoftimit të Gjykatës, është aprovuar kërkesa e mbrojtjes së të dënuarit dhe çështja i rikthehet në gjykim Gjykatës Themelore në Ferizaj.
“Me aprovimin e ankesës së përbashkët të mbrojtësve të akuzuarit N.P., por, edhe sipas detyrës zyrtare, aktgjykimi i Gjykatës Themelore – Departamenti për Krime të Rënda në Ferizaj, PKR.nr.9/20 datë 07.07.2021, anulohet dhe çështja i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe vendim.
Ankesa është e bazuar, por, duke vepruar edhe sipas detyrës zyrtare aktgjykimi i ankimuar duhet anuluar, ngase, i njëjti përveç, që është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par. 1 nën par. 12 të KPPK-së, po ashtu, ka mbështetje edhe në prova të papranueshme”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Po ashtu, Apeli ka njoftuar se i dënuari do të vazhdojë të mbahet në paraburgim deri në marrjen e vendimit tjetër nga Gjykata e shkallës së parë.